Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se aktet e dhunshme dhe përplasjet gjatë protestave dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ndikojnë negativisht në zonat turistike të kryeqytetit.
Në një konferencë për mediat, Gonxhja u bëri thirrje pjesëmarrësve në protesta të distancohen nga aktet e dhunës, duke theksuar se situata të tilla krijojnë pasoja për qytetarët dhe vendin.
“Besoj shumë që të fitojë arsyeja dhe vetëdija e të gjithë atyre që janë pjesë e protestës, që të distancohen nga akte ose situata përplasjesh që japin konotacion shumë negativ ndërkombëtar. Momente si ato pranë Parlamentit nuk janë të dobishme për askënd”, tha ai.
Ministri u shpreh se protesta duhet të zhvillohet pa rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të personave vulnerabël.
“Nëse do ta dija që ka mundësi përplasjeje, nuk do t’i lejoja personat e moshuar apo ata në gjendje të brishtë të ishin aty. Do t’u thoja: kjo nuk është për ju sot, sepse këtu rrezikoni”, deklaroi Gonxhja.
Sipas tij, përfshirja e personave vulnerabël në situata të tensionuara krijon një perceptim negativ për protestat dhe dëmton imazhin e vendit.
Gonxhja theksoi se përplasjet ndikojnë edhe në aktivitetin ekonomik dhe turistik në zonat përreth Parlamentit, si pedonalja, Pazari i Kalasë, zona e Toptanëve dhe hapësirat tregtare të frekuentuara nga turistët.
“Dëmi që po i bëjmë atyre zonave është praktikisht një rrezik për pjesën që duhet të ishte zemra e turizmit në kryeqytet”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se mbrojtja e institucioneve nuk lidhet me individë, por me imazhin dhe prestigjin e shtetit.
“Nuk mbrohet Blendi, nuk mbrohet filani e fisteku, mbrohet imazhi dhe prestigji i një shteti”, tha Gonxhja.
Në fund, ai akuzoi disa pjesëmarrës në protesta për sjellje të dhunshme ndaj qytetarëve dhe forcave të policisë, duke theksuar se nuk dëshironte ta trajtonte çështjen si debat politik, por nga këndvështrimi i përgjegjësisë institucionale.


