Mazniku: Reforma nuk shuan bashkitë

30 Jul 2026 16:12
Shpërndaje:

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se procesi i konsolidimit territorial nuk nënkupton zhdukjen e bashkive apo qyteteve, por riorganizimin e tyre në një strukturë të re administrative.

Sipas Maznikut, bashkitë e përfshira në reformë do të ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane, ndërsa do të bashkohen me bashkitë fqinje duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore.

“Çdo qendër e prekur nga ky proces do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe një rol të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit”, u shpreh Mazniku.

Reklamë Ola

Ai theksoi se reforma synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë.

Deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, u përcollën sot kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.

Reklamë InterMedika

Sipas Partisë Socialiste, reforma parashikon konsolidimin e 28 bashkive në 13 bashki të reja, duke e ulur numrin e përgjithshëm të bashkive në vend nga 61 në 46.