Nufi: Marrëveshja me SHBA nuk shkel Kushtetutën

30 Jul 2026 13:03
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e blerjes së sistemeve ushtarake dhe teknologjike nuk është miratuar në shkelje të Kushtetutës, duke i cilësuar të papranueshme kritikat e Partisë Demokratike.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Nufi u shpreh se marrëveshja është dëshmi e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe theksoi se siguria kombëtare nuk duhet të kthehet në objekt debati politik.

“Marrëveshja me SHBA-në nuk është votuar në shkelje të Kushtetutës. Qëndrimet e PD-së janë të papranueshme për sa i takon Ministrisë së Mbrojtjes. Siguria kombëtare nuk mund të jetë çështje e debatit politik”, tha ai.

Reklamë Ola

Ministri shtoi se programi FMF (Foreign Military Financing) nuk lidhet vetëm me financimin, por edhe me transferimin e teknologjisë ushtarake, proces që, sipas tij, kërkon besueshmëri dhe vullnet politik nga vendet partnere.

“Kur vjen puna te marrëveshjet e mbrojtjes nuk është vetëm çështje parash. Është edhe çështje e vullnetit politik, e besueshmërisë si aleat dhe e sigurisë që një vend u garanton partnerëve të tij”, u shpreh Nufi.

Reklamë InterMedika

Ai theksoi se marrëdhënia me SHBA-në tregon se Shqipëria është një aleat i besueshëm në aspektin politik, strategjik dhe të vlerave të përbashkëta.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për interesin e huasë, ministri tha se detajet financiare janë konfidenciale për shkak të natyrës së marrëveshjes dhe rregullave të autoriteteve amerikane që administrojnë programe të tilla.

“Kur vjen puna te mbrojtja dhe siguria duhet të kuptojmë se ka disa të dhëna që nuk mund të bëhen publike, pasi lidhen me kapacitetet dhe sigurinë kombëtare”, deklaroi ai.

Nufi mbrojti edhe procedurën e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, duke theksuar se deputetët kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar dhe se procedura e përshpejtuar nuk ka cenuar Kushtetutën.

Ai shtoi se Partia Socialiste dhe qeveria kanë zbatuar gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu bindjen se edhe kjo marrëveshje do të vlerësohet në përputhje me ligjin.

Në përfundim, ministri nënvizoi se zbatimi i marrëveshjes monitorohet vazhdimisht nga pala amerikane.

“Patjetër që marrëveshja monitorohet rreptësisht nga partnerët amerikanë. Bëhet fjalë për transferim teknologjik dhe nuk ka asnjë shans që kjo marrëveshje të mos jetë nën mbikëqyrjen 100% të palës amerikane deri në përfundimin e saj”, përfundoi Nufi.