×
Thursday, February 12, 2026

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dita e dytë e deklarimeve përfundimtare në Hagë

February 10, 2026


Edhe sot do të vijojnë deklaratat përfundimtare të ZPS-së në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Seanca e ditës së dytë të fazës përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nis nga ora 9:00.

Në pjesën përmbyllëse gjatë ditës së hënë u dhanë deklarata lidhur me funksionimin dhe strukturën e Shtabit të Përgjithshëm. Prokuroria që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë thanë se sot prokurorëve do t’iu duhen më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West të mbajë një fjalë përmbledhëse.

Ndërkohë, në këtë fazë prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i paraqesin trupit gjykues argumentet dhe parashtrimet e tyre përfundimtare.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.




Comments are closed.