Qytetarët dhe bizneset në Shqipëri do të kenë mundësi të kryejnë pagesa dhe transferta elektronike brenda pak sekondash, në çdo orë të ditës dhe edhe gjatë fundjavave apo ditëve të pushimit.
Ndryshimi do të bëhet i mundur përmes platformës së re TIPS Clone, e cila pritet të nisë funksionimin në muajin nëntor dhe synon të modernizojë më tej sistemin e pagesave në vend.
Nëse aktualisht një transfertë bankare mund të kërkojë më shumë kohë për t’u përfunduar, veçanërisht jashtë orarit zyrtar apo gjatë ditëve të pushimit, sistemi i ri do të mundësojë kalimin e parave në kohë reale.
Zv.drejtoresha e Sistemit të Pagesave në Bankën e Shqipërisë, Valentina Semi, shpjegon se qytetarët do të kenë akses në këtë shërbim nëpërmjet aplikacioneve online të bankave, ndërsa komisionet pritet të jenë minimale.
Sistemi mund të përdoret për një gamë të gjerë pagesash të përditshme, nga shlyerja e faturave të energjisë elektrike dhe ujit deri te pagesat në restorante dhe transferta të tjera mes individëve apo bizneseve.
Transferta 24 orë në 7 ditë të javës
Një nga risitë kryesore të TIPS Clone është pikërisht eliminimi i kufizimeve që lidhen me oraret tradicionale të bankave. Pagesat do të mund të procesohen në kohë reale, pa qenë e nevojshme të pritet dita tjetër e punës.
Kjo do të thotë se një transfertë e nisur gjatë mbrëmjes, në fundjavë apo në një ditë feste do të mund të mbërrijë te përfituesi brenda pak sekondash.
Për bizneset, sistemi pritet të sjellë gjithashtu përfitime në administrimin e likuiditetit, pasi pagesat dhe transfertat do të realizohen menjëherë dhe jo vetëm gjatë orarit bankar.
Fillimisht brenda Shqipërisë, më pas drejt rajonit dhe BE-së
Sipas planit, platforma do të nisë funksionimin në nëntor me pagesat brenda vendit. Në një fazë të mëvonshme synohet zgjerimi i saj për të mundësuar pagesa të shpejta edhe me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.
Ky zhvillim pritet të krijojë një infrastrukturë më moderne për pagesat elektronike dhe të lehtësojë transaksionet për qytetarët dhe sipërmarrjet.
Synohet ulja e përdorimit të parave cash
Përveç shpejtësisë së transfertave, një tjetër objektiv është reduktimi i përdorimit të parave fizike në ekonominë shqiptare.
Mundësia për të realizuar pagesa elektronike në kohë reale dhe me kosto të ulët pritet të nxisë më shumë qytetarë dhe biznese të përdorin kanalet digjitale për transaksionet e përditshme.
Përfitimet nuk pritet të kufizohen vetëm te konsumatorët dhe bizneset. Sipas përllogaritjeve, rritja e përdorimit të pagesave elektronike dhe reduktimi i përdorimit të cash-it mund t’i sjellin ekonomisë shqiptare kursime që arrijnë deri në 38 miliardë lekë në vit.
Në këtë mënyrë, TIPS Clone synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e transfertave, të ulë kostot dhe të çojë sistemin shqiptar të pagesave drejt një modeli ku paratë mund të transferohen në kohë reale, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.


