Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, një zhvillim me rëndësi diplomatike, duke pasur parasysh marrëdhëniet tradicionale të ngushta të Beogradit me Rusinë.
Zelensky mbërriti në Beograd, ku u prit në aeroport nga ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Džeković Handanović. Mbrëmjen e së premtes, ai zhvilloi një darkë pune me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ndërsa takimet zyrtare mes dy delegacioneve janë planifikuar për këtë të shtunë në Pallatin Presidencial.
Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiç u shpreh se është i bindur se vizita do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Jam i bindur se kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe do të forcojë bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët”, deklaroi presidenti serb.
Nga ana e tij, Zelensky bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Beograd do të zhvillojë bisedime “të rëndësishme” me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin serb, Djuro Macut, me fokus te çështjet ekonomike dhe të sigurisë.
Pas takimeve, dy presidentët pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Vizita e presidentit ukrainas konsiderohet një hap domethënës në përpjekjet diplomatike të Kievit për të zgjeruar mbështetjen ndërkombëtare. Një zyrtar i lartë ukrainas, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se synimi i Ukrainës është të afrojë Serbinë me Perëndimin dhe ta largojë atë nga ndikimi rus.
“Qëllimi ynë është t’i nxjerrim serbët nga kampi i Rusisë”, u shpreh zyrtari, duke e cilësuar vizitën e Zelenskyt si një “shuplakë në fytyrë” për Moskën.
Megjithatë, presidenti Vuçiç ritheksoi se politika e jashtme e Serbisë ndaj Rusisë nuk ka ndryshuar. Ai kujtoi se Beogradi nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe vazhdon të mbështetet në furnizimet ruse me energji.
“Rusia e përcaktoi qëndrimin e saj katër vjet e gjysmë, pothuajse pesë vjet më parë dhe nuk e ka ndryshuar atë që atëherë. Ky qëndrim do të mbetet i njëjtë deri në njoftim të mëtejshëm”, deklaroi Vuçiç.
Vizita e Zelenskyt zhvillohet në një moment kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe përpjekjet diplomatike për të siguruar mbështetje ndërkombëtare mbeten një prioritet për Kievin, ndërsa Serbia përpiqet të ruajë balancën mes aspiratave për integrim europian dhe marrëdhënieve tradicionale me Rusinë.


