Dhoma e Deputetëve në Itali miraton marrëveshjen strategjike me Shqipërinë, projektligji kalon në Senat

07 Aug 2026 21:30
Shpërndaje:

Dhoma e Deputetëve në Itali ka miratuar projektligjin për ratifikimin dhe zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit strategjik mes Qeverisë së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Projektligji u miratua me 149 vota pro, 81 kundër dhe 3 abstenime. Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin dypalësh në një sërë fushash strategjike, përfshirë shëndetësinë, energjinë, mjedisin, sigurinë, industrinë e mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe zhvillimin inteligjent.

Marrëveshja ishte nënshkruar në Romë më 13 nëntor 2025 dhe, pas miratimit në Dhomën e Deputetëve, projektligji do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe votimit në Senatin italian, që përbën hapin e fundit të procesit të ratifikimit.

Reklamë Ola

Në të njëjtën seancë, Dhoma e Deputetëve miratoi edhe dekretin për Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR) me 152 vota pro, 82 kundër dhe 7 abstenime.

Dekreti përfshin një sërë masash që lidhen me zbatimin e projekteve të PNRR-së, ndër të tjera edhe çështjen e procedurës së tenderimit për dhënien e shërbimit hekurudhor Intercity. Edhe ky projektligj do të kalojë për shqyrtim në Senatin italian.

Reklamë InterMedika