Ambasada e SHBA në Tiranë: Eric Wendt konfirmohet ambasadori i ri në Shqipëri

08 Aug 2026 10:18
Shpërndaje:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e gjeneral-lejtnantit në pension Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada uroi Wendt për detyrën e re dhe shprehu pritshmëritë për bashkëpunimin e tij me autoritetet shqiptare.

“U konfirmua! Urime Gjenerallejtnantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Reklamë Ola

Konfirmimi vjen pasi Senati amerikan miratoi kandidaturën e Eric Wendt për postin e ambasadorit në Shqipëri, duke i hapur rrugën marrjes së detyrës në Tiranë.

Eric Wendt është gjeneral-lejtnant në pension i Ushtrisë Amerikane, me një karrierë të gjatë në forcat speciale dhe në operacionet ushtarake ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa ka shërbyer edhe si Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez.

Reklamë InterMedika

Me emërimin e tij, Uashingtoni synon të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë në fushat e sigurisë, mbrojtjes, forcimit të NATO-s dhe marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.