×
Wednesday, June 24, 2026

Nis sot vaksinimi anti COVID/ Rama: Dozat e para nga një shtet i BE-së, falë marrëdhënies dypalëshe

January 11, 2021


Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “është siguruar fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 para afatit, ai rezultat i hapjes së një kanali bilateral për sigurimin e vaksinës me një nga vendet e Bashkimit Europian”.

Në një konferencë për shtyp në “Air Albania Stadium” për planin e vaksinimit, Rama tha se “ndjehem vërtetë i lehtësuar për faktin se jo vetëm kemi arritur në kushte aspak të lehta të garantojmë 500 mijë dozat e para të vaksinës Pfizer, por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit, falë marrëdhënieve bilaterale, që sikundër edhe këtë e kam bërë me dije publikisht, janë kyçe në këtë proces të çuditshëm”.

“Faktikisht strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga BE për skemën e COVAX ka rezultuar të jetë ende sot që flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë. Pra pavarësisht angazhimit me COVAX të Shqipërisë dhe vendeve të tjera jashtë BE-së, nëse do të qëndronim në pritje të COVAX do të ishim akoma duke pritur. Nuk dihet ende sot se do të zgjaste kjo pritje”, tha Rama.

Ndaj, theksoi ai, “ne jemi angazhuar që në krye të herës intensivisht me kanale të tjera, siç bëjnë edhe vendet e tjera”.

“Ia kemi dalë të kontaktojmë në Nju Jork kompaninë Pfizer dhe hapëm një kanal për 500 mijë doza, dhe njëkohësisht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale me 4 vende. Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë me 1 nga kanalet bilaterale me një nga vendet e BE-së dhe këtë nuk e bëj me dije për shkak të kërkesës së tyre. Por meqë është thënë se ky vend është Greqia, mund t’ju them se nuk është Greqia”, tha Rama.

Rama tha se “jemi në kontakt, sepse ne kemi sot të siguruar rrugën e vaksinës me doza të parashikuara muaj pas muaji, duke filluar nga java e tretë e janarit drejpërdrejt me kompaninë Pfizer”.

Por, vijoi ai, “qëllimi ynë është që të rrisim në ndërkohë kapacitetin vaksinues, duke rritur prurjet e vaksinës Pfizer dhe me shpresë së shpejti, duke hapur rrugën edhe për vaksinën AstraZeneca përmes këtyre kanaleve”.

“Ky është një funksionim krejt normal dhe këtë e bëjnë të gjitha vendet. Nëse do të shikoni se si BE e ka konceptuar këtë proces në momentin kur ka vendosur të mendoj për veten e vet është lënë në diskrecionin e vendeve anëtare që të ndërtojnë me vendet joanëtare procese ndërveprimi për vaksina. Ka proces ku një vend x është i gatshëm të japë një pjesë të dozave për shkak se nuk i përdor dot të gjitha menjëherë dhe ato t’i shesë. Për fat të mirë në gjithë kanalet ku tregtohet vaksina Pfizer nuk ka negociata me çmimin, është fiks, i njëjtë për të gjithë”, tha Rama.

Po ashtu, ai shtoi se “ka kanale ku veprohet me këmbim, pra një vend ka nevojë të garantojë më shumë doza në x kohë dhe një vend tjetër i krijon mundësinë që këto doza t’i garantojë me shkëmbim”. “Në momentin që vendi i parë merr këto doza i kthen në një kohë të dytë kur ka më shumë. Është një punë që zhvillohet si bursë, por nuk ka lëvizur çmimi. Ky është një fakt dhe i efektshmërisë diplomatike, i aftësisë sonë për të bërë atë që duam duke shfrytëzuar kapacitetet tona diplomatike, duke shfrytëzuar aftësinë tonë për të influencuar në marrëdhënie të caktuara dhe respektin që kemi krijuar në këto vite te partnerët tanë. Ky është fakt dhe patjetër e them këtë. Është fakt që në një garë lypsash për vendin e tyre, unë jam pretend për vendin e parë”, shtoi Rama. 

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
oldest
newest most voted