Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se Shqipëria regjistroi një tjetër muaj pozitiv për sektorin e turizmit, duke pritur 1,955,099 vizitorë të huaj gjatë korrikut 2026.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur vendi u vizitua nga 1,825,490 turistë të huaj, këtë vit janë regjistruar 129,609 vizitorë më shumë, ose një rritje prej rreth 7.1%.
Sipas ministrit, rritja është edhe më e dukshme në krahasim me muajin qershor, pasi në korrik u regjistruan 608,820 vizitorë më shumë, duke përfaqësuar një rritje mujore prej 45.22%.
Gonxhja vlerësoi se këto shifra tregojnë një rikuperim të fortë pas ngadalësimit të regjistruar gjatë muajit qershor.
“Të dhënat tregojnë se ngadalësimi i qershorit nuk u shndërrua në një prirje të qëndrueshme rënëse. Përkundrazi, korriku shënoi një rikuperim të ndjeshëm, duke iu afruar ritmit të lartë të rritjes të regjistruar gjatë pesëmujorit të parë”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të publikuara, periudha janar–maj 2026 kishte regjistruar një rritje prej 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa ritmi i rritjes zbriti në 1.3% gjatë qershorit, për t’u rikthyer në 7.1% në korrik.
Megjithatë, ministri theksoi se rezultatet e korrikut mbeten nën pritshmëritë që do të kishte krijuar vijimi i trendit të pesëmujorit të parë. Sipas llogaritjeve të Ministrisë, nëse ritmi i rritjes nuk do të ishte ngadalësuar në qershor, korriku do të kishte regjistruar rreth 2,094,542 vizitorë të huaj.
Kjo do të thotë se numri faktik prej 1,955,099 vizitorësh rezulton rreth 139,443 turistë më i ulët se skenari i projektuar, ose rreth 6.7% më pak.
Gonxhja u shpreh se protestat dhe episodet e sulmeve ndaj bizneseve të industrisë së mikpritjes gjatë muajit korrik kanë qenë faktorë shqetësues që mund të kenë ndikuar negativisht në performancën e sektorit turistik.
Nga ana tjetër, ai vlerësoi ndikimin pozitiv të aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive në tërheqjen e vizitorëve.
Sipas ministrit, festivalet, itineraret tematike, festat tradicionale, konferencat ndërkombëtare, koncertet dhe ngjarjet e mëdha artistike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e fluksit turistik. Ai veçoi koncertin e Kanye West në Tiranë, performancën e Zucchero-s, si dhe aktivitetet e organizuara nga institucionet dhe bashkitë në të gjithë vendin.
Ministri theksoi se zhvillimi i eventeve me përmasa ndërkombëtare mbetet një nga instrumentet kryesorë për të nxitur turizmin dhe për të gjeneruar më shumë aktivitet ekonomik në Shqipëri.


