Një tjetër segment i rëndësishëm i Korridorit VIII është hapur për qarkullim, duke shënuar një tjetër etapë në zgjerimin dhe modernizimin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ene Karakaçi, i cili njoftoi se tashmë është i aksesueshëm segmenti prej 7.5 kilometrash, që shtrihet nga dalja e fshatit Labinot-Fushë deri rreth 500 metra pas fshatit Mirakë.
Sipas ministrit, segmenti i ri është ndërtuar me dy korsi në secilin drejtim dhe synon të përmirësojë ndjeshëm standardet e qarkullimit në një nga akset më të rëndësishme kombëtare dhe rajonale.
Karakaçi theksoi se investimi do të ndikojë në rritjen e sigurisë rrugore, uljen e kohës së udhëtimit dhe lehtësimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave.
Projekti është pjesë e investimeve strategjike në Korridorin VIII, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit në Ballkan, i cili synon të përmirësojë lidhjet rrugore të Shqipërisë me vendet e rajonit dhe të forcojë shkëmbimet ekonomike e tregtare.
Autoritetet vlerësojnë se përfundimi i fazave të tjera të projektit do të rrisë më tej kapacitetin e këtij aksi, duke e bërë lëvizjen më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.


