Gjykata Kushtetuese/ Ruçi: U përmbush kushti më i rëndësishëm i mbajtjes së tryezës ndërqeveritare me BE-në


Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka një arsye madhore të jetë i kënaqur në mbyllje të këtij sesioni parlamentar.
“Suksesi më i madh politik, madje me rëndësi kombëtare e strategjike, i Gramoz Ruçit si kryeparlamentar në këtë sesion është bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në një njoftim të Kuvendit.
Pas zgjedhjes nga Kuvendi të anëtarit të vet, gjyqtarit kushtetues Altin Binaj, sot Presidenti Ilir Meta dekretoi anëtarin e gjashtë, gjyqtarin kushtetues Përparim Kalo.
Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese, një ndër kushtet më të rëndësishme të mbajtjes së tryezës ndërqeveritare me BE-në, mund të konsiderohet edhe si një sukses personal i Kryetarit të Kuvendit.
“Më 6 shtator, ditën e fillimit të sesionit të ri, Ruçi bëri premtimin publik: “Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna.” Më 17 dhjetor, madje më shpejt sesa mendohej, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë, edhe pse me procedura më të ndërlikuara, Kuvendi votoi anëtarin e vet për Gjykatën Kushtetuese. Ky është një sukses “politik, kombëtar, por edhe sukses personal i Gramoz Ruçit”, thuhet në njoftim.
Burime nga Kuvendi i Shqipërisë pohojnë se Ruçi nuk kishte lenë asnjë hapësire për ndonjë plan B për shtyrjen e Kushtetueses.
“Prandaj në përfundim të sesionit, kryeparlamentari Ruçi ka arsye të jetë i relaksuar, për kontributin e vet të pazëvendësueshëm në bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese”, thotë njoftimi i Kuvendit.
Eunews.al

