Macron: Franca po përjeton krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore

28 Jul 2026 10:10
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca po përballet me situatën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa zjarret masive vazhdojnë të përhapen në jugperëndim të vendit dhe autoritetet paralajmërojnë se shuarja e tyre mund të zgjasë me muaj.

Gjatë një mesazhi drejtuar zjarrfikësve, Macron u bëri thirrje atyre të “qëndrojnë të fortë”, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë.

Zjarret, të cilat kanë shpërthyer vetëm 15 kilometra larg qytetit të Bordeaux, kanë detyruar mobilizimin e ekipeve të zjarrfikësve nga e gjithë Franca për të luftuar flakët.

Reklamë Ola

Sipas autoriteteve, më shumë se 360 mijë persona janë evakuuar në Francë dhe Spanjë, ndërsa Evropa po përjeton një nga verat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë.

Zyrtarët francezë paralajmërojnë se zjarret mund të vazhdojnë për javë, madje edhe për muaj, përpara se të shuhen plotësisht.

Reklamë InterMedika

Nënkoloneli David Annotel, nga Federata Kombëtare e Zjarrfikësve të Francës, deklaroi për RTL se do të duhen “shumë javë, ndoshta disa muaj” përpara se autoritetet ta konsiderojnë zjarrin në jugperëndim të vendit plotësisht të shuar.

Macron premtoi mbështetjen e plotë të qeverisë për përballimin e asaj që e cilësoi si një nga katastrofat më të mëdha me të cilat është përballur Franca që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ne do të jemi aty dhe së bashku do ta fitojmë këtë betejë. Gjithashtu do të jemi aty edhe në planin afatgjatë”, tha presidenti francez.

Ai shtoi se, pas shuarjes së flakëve, Franca do të përballet me sfidën e rindërtimit të zonave të shkatërruara.

“Do të na duhet të mbjellim dhe të rindërtojmë një pyll tjetër, sepse ky pyll nuk do të jetë më i njëjti”, u shpreh Macron.