Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dënuar deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe të ministres Snezhana Paunoviç lidhur me Kosovën, duke theksuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të ndërtohet mbi revizionizëm historik dhe retorikë nacionaliste.
Në një konferencë të përbashkët në Tiranë me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, Hoxha tha se procesi i dialogut kërkon respekt për faktet historike dhe refuzim të gjuhës që justifikon krimet e luftës.
“Theksuam rëndësinë e veçantë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky proces nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik, mohimin e fakteve, lartësimin e kriminelëve të luftës apo përmes retorikave nacionaliste, përçarëse dhe deklaratave të papranueshme që relativizojnë ose justifikojnë krimet e luftës”, deklaroi Hoxha.
Shefi i diplomacisë shqiptare iu përgjigj edhe kritikave të Vuçiçit ndaj marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.
Sipas tij, bashkëpunimi dypalësh apo shumëpalësh mes vendeve partnere nuk duhet të përdoret si pretekst për militarizim apo për nxitjen e tensioneve në rajon.
“Çdo angazhim i yni nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë, aq më pak për t’i fryrë zjarreve të luftës dhe për të rikthyer thirrjet për përkatësi territoriale”, u shpreh ai.
Hoxha shtoi se asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës apo për të penguar proceset e pajtimit nuk do të cenojë të ardhmen evropiane të rajonit.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić-Radman, vlerësoi marrëveshjen trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke theksuar se ajo synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve mes vendeve partnere.


