Incidenti i krijuar nga deputeti Agron Shehaj në Kuvend ka nxitur reagime jo vetëm për aspektin ligjor të marrjes së një dokumenti të klasifikuar, por edhe për pasojat që pati ndaj punonjëses së administratës së Kuvendit.
Sipas reagimeve publike, marrja e dokumentit në zyrë, në prani të punonjëses që kishte detyrë ta ruante sipas protokollit, cilësohet si një veprim që e vendosi atë në një situatë të vështirë profesionale dhe psikologjike.
Pas marrjes së dokumentit, punonjësja e ndoqi deputetin duke i kërkuar kthimin e tij, ndërsa Shehaj u drejtua me shpejtësi drejt sallës së seancave plenare. Gjatë përpjekjes për ta ndalur, ajo u rrëzua në shkallë.
Sipas autorit të reagimit, punonjësja mund të përballet me pasoja në vendin e punës, pasi dokumenti i klasifikuar ishte nën përgjegjësinë e saj, ndërsa vlerësohet se tronditja psikologjike që ka përjetuar është më e rëndë se dëmtimet fizike.
Në reagim ngrihet gjithashtu shqetësimi për mungesën e reagimeve publike nga deputetet e opozitës dhe organizatat e shoqërisë civile.
“Sot dikush nga gratë e PD-së, së paku duhet të thoshte një fjalë, që lufta politike e ashpër nuk duhet të prekë njerëzit e administratës”, thuhet në reagim.
Autori shton se punonjësja e administratës u gjend në mes të përplasjes politike pa pasur asnjë përgjegjësi për situatën dhe se meritonte mbështetje publike nga të gjitha palët.
Sipas tij, deri më tani ka munguar një reagim solidarizues ndaj saj, ndërsa theksohet se punonjësit e administratës nuk duhet të bëhen viktima të përplasjeve politike.


