Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit në Kuvend, ku deputeti dhe kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, mori pa autorizim një kopje të marrëveshjes së huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e klasifikuar si dokument sekret.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama publikoi një video ku shihet një punonjëse e administratës së Kuvendit duke ndjekur Shehajn, ndërsa rrëzohet në shkallë gjatë përpjekjes për ta ndaluar.
Kryeministri e cilësoi veprimin e deputetit si “vjedhje të një dokumenti të klasifikuar” dhe kërkoi që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit.
“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin”, shkroi Rama.
Ai shtoi se pret që Prokuroria të trajtojë rastin në përputhje me ligjin.
“Uroj, por nuk shpresoj, që Prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuara këtij personazhi të mbushur me urrejtje”, u shpreh kryeministri.
Rama shprehu gjithashtu keqardhje për punonjësen e administratës së Kuvendit, e cila u përfshi në incident.
“Ndërkohë i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme, duke falënderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, përfundoi ai.


