Irani po përballet me kritika të reja ndërkombëtare, ndërsa 16 persona të akuzuar për pjesëmarrje në protestat e janarit në Isfahan rrezikojnë dënimin me vdekje për akuzën e moharebeh (“armiqësi ndaj Zotit”), një vepër penale që në sistemin iranian mund të dënohet me varje.
Rasti lidhet me ngjarjet e 8 janarit, kur gjatë protestave në Isfahan u vra koloneli i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Abbas Kamrani. Prokuroria iraniane i akuzon të pandehurit për moharebeh, shkatërrim të pronës publike, organizim të veprave penale dhe propagandë kundër Republikës Islamike.
Megjithatë, edhe pse autoritetet pretendojnë se ata janë përgjegjës për vdekjen e Kamranit dhe të një personi tjetër, asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht për vrasje.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, që prej përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Irani ka shtuar ekzekutimet e personave të cilësuar si të burgosur politikë, përfshirë protestues, anëtarë të dyshuar të grupeve të ndaluara dhe persona të dënuar për spiunazh.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se shtimi i ekzekutimeve synon të frikësojë qytetarët dhe të pengojë shpërthimin e protestave të reja kundër regjimit.
Një nga çështjet më të ndjekura është pikërisht gjykimi i 16 të pandehurve në Isfahan, të cilët ndodhen në pritje të vendimit të gjykatës.
Burime brenda Iranit pretendojnë se autoritetet kanë përdorur tortura për t’i detyruar të akuzuarit të pranojnë fajësinë. Gjatë seancave gjyqësore, disa prej tyre deklaruan se ishin rrahur, ishin goditur me elektroshok dhe ishin kërcënuar me përdhunim për të dhënë rrëfime.
Mes të akuzuarve ndodhet edhe 29-vjeçari Milad Boueiri, pronar i një dyqani këpucësh, si dhe punonjës të biznesit të tij, familjarë dhe persona të tjerë, shumë prej të cilëve janë nën moshën 23-vjeçare, përfshirë binjaket 20-vjeçare Taraneh dhe Romina Rahimi.
Organizata amerikane për të drejtat e njeriut HRANA deklaroi se nuk ekzistojnë prova që lidhin të pandehurit me vrasjet për të cilat akuzohen autorët e protestave.
“Duke qenë se nuk është ngritur asnjë akuzë për vrasje dhe nuk janë paraqitur prova që i lidhin të pandehurit me këto vdekje, atribuimi i përgjegjësisë ligjore ndaj tyre nuk ka bazë ligjore”, thuhet në deklaratën e HRANA-s.
Procesi po zhvillohet në një gjykatë revolucionare, e cila trajton çështje politike dhe të sigurisë dhe konsiderohet nga organizatat ndërkombëtare si më pak transparente dhe më e ashpër se gjykatat e zakonshme.
Sipas Iran Human Rights Monitor, rasti i Isfahanit përbën një shembull të përdorimit të sistemit gjyqësor për të shtypur protestat civile dhe për të përhapur frikë në shoqëri.
Gjykimi drejtohet nga gjyqtarët Morteza Barati dhe Mohammad Reza Tavakoli, ky i fundit i njohur për vendimet e tij të ashpra, përfshirë dënimin me vdekje të një reperi iranian në vitin 2024 dhe së fundmi të 12 burrave të akuzuar për vrasjen e efektivëve të forcave speciale gjatë protestave në Isfahan.


