×
E shtunë, 28 Nëntor, 2020

Fleckenstein: Shqipëria në rrugën e duhur drejt integrimit, BE të mbajë fjalën

11 Korrik, 2020

Shqipëria është në rrugën e duhur drejt integrimit në Bashkimin Europian, tha sot në një emision televiziv, ish-raporteri i Shqipërisë në PE, Knut Fleckenstein, aktualisht këshilltar i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në lidhje me detyrën e tij si këshilltar i Kryetarit të Kuvendit, Fleckenstein tha se “jam mirënjohës ndaj kryetarit të Kuvendit, i cili ma kërkoi një detyrë të tillë sepse kemi vite që bashkëpunojmë për Shqipërinë, sepse nuk mund ta mendoj se tani që nuk jam më raporter të mos mendoj për Shqipërinë dhe do më vinte mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor së shpejti të bëhen pjesë e BE-së dhe ndihmesa nga ana ime është më mirë dhe mezi e pres fillimin e një detyre të tillë”.

Në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, Fleckenstein tha se “nga njëra anë e shoh shumë inkurajuese, ka diskutime edhe pse opozita jashtëparlamentare nuk ndodhet në parlament ka të tjera mënyra për të biseduar e folur për këto çështje. Është detyrë e vështirë e parlamentit për të punuar me dy opozita. Shpresoj shumë për një kompromis. Kam folur me ambasadoren amerikane se si mund t’i hedhim hapat. Nga njëra anë duhet të mendoj se parlamenti është parlament”.

Në lidhje me kushtet për Shqipërinë, Fleckenstein tha se “e di që Bundestag-u gjerman ka vendosur disa kushte, e di se edhe Këshilli e ka diskutuar këtë dhe Komisioni Europian po bën kornizën për nisjen e negociatave. Nuk duhet të mendojmë se të 15 këto të ashtuquajturat kushte duhet të përmbushen para konferencës së parë ndërqeveritare, por është e vërtetë që njerëzit në Bruksel, patjetër që e vënë theksin te reforma në drejtësi, që institucionet të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar dhe zgjidhur problemet në  Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese dhe patjetër ligji  elektoral do jetë shumë i rëndësishëm gjithashtu, do të jetë hapi tjetër për të ecur përpara, por nuk do të thotë që të gjitha këto, 15 kushte, duhet të  përmbushen para kësaj konference”.

Në lidhe se a është Shqipëria në rrugën e mbarë drejt integrimit, Fleckenstein thotë se “po, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt integrimit në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian duhet të jetë i besueshëm dhe t’i mbajë premtimet që i ka dhënë Shqipërisë. Patjetër që ka probleme në Bruksel se si të ecet me institucionet, por jo gjithmonë duhet vënë gishti te Tirana, por duhet ta vënë gishtin edhe te vetja e tyre për të ecur përpara”.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi ai theksoi se “reforma në drejtësi që po bëhet në Shqipëri nuk gjendet në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Patjetër mund të jetë e ngadaltë sepse është pritur opinioni i Komisionit të Venecias. Nëse institucionet tashmë bashkëpunojnë, Shqipëria mund të jetë krenare për këtë reformë, sepse jeni ndër vendet e vetme që keni bërë një reformë kaq radikale dhe sidomos pas opinionit të Komisionit të Venecias, institucionet shpresoj shumë që të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar dhe ecur përpara”.

Në lidhje me opozitën parlamentare dhe jashtë parlamentare Fleckenstein tha se “nuk jam këtu për të dhënë komente për çdo parti, por gjithmonë kam qenë kundër djegies së mandateve apo bojkoti. Duhet gjetur një kompromis mes opozitës në parlament, opozitës jashtëparlamentare dhe mazhorancës. Nuk mund ta nxisim më shumë këtë situatë, nuk mund t’i hedhim më shumë benzinë zjarrit. Edhe Partia Demokratike ka lobuar për hapjen e negociatave, shpresoj se dëshira e mirë nga jashtë duket dhe le të përpiqemi të ecim përpara”.

Në lidhje me opozitën parlamentare, Fleckenstein tha se ajo po bën opozitë sepse nuk ka rënë dakord për çështje të caktuara.

“Ata i kanë marrë seriozisht mandatet e tyre, tek e fundit institucioni i Parlamentit duhet të vendosë. Unë i marr seriozisht. Ata janë në parlament në fakt, por duhet ta ritheksoj se ata duhen marrë seriozisht se janë përfaqësues të popullit shqiptar, janë apo jo në interes të çdokujt është një tjetër çështje, por ata janë në parlament dhe përfaqësojnë popullin shqiptar. Nuk mund të them se janë të gjithë njësoj, ka disa që vërtet po përpiqen fort për të ecur përpara dhe për t’i çuar ligjet përpara, por le të shohim si do vijojë. Ligji elektoral duhet të zbatohet në kohën e duhur dhe të dakordësohet, megjithatë është e vështirë me këto dy lloj opozitash”.

Fleckenstein vlerëson marrëveshjen për Reformë Zgjedhore dhe e konsideron një marrëveshje të mirë si dhe të rëndësishme për hapjen e negociatave.

“Grupe të mëdha politike ranë dakord për këtë. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos e shkatërrojmë sërish. Kam dëgjuar edhe opozitën në parlament se çfarë dëshiron shtesë në këtë rast. E kam kuptuar se për çfarë e duan. Nuk mund të jap një qëndrim në detaje si  mund të jetë zgjidhja sepse është një çështje sensitive dhe nuk dua të jem pjesë e kësaj çështjeje dhe sigurisht  nuk mund të themi se parlamenti është vetëm për show, parlamenti është institucion i rëndësishme dhe duhet gjetur një mënyrë patjetër për zgjidhje, sepse është shumë e rëndësishme për hapjen e negociatave”, tha ai.

Në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve në Kosovë, Fleckenstein tha se “mendoj se liderët në Kosovë dhe Serbi duhet të jenë të lirë të bëjnë një propozim se ku duhet të jetë procesi. Parimisht jam i shqetësuar për shkëmbimin e territoreve sepse gjithmonë ka komplikime në politikën e fqinjëve. Nuk është thjesht një çështje private mes Kosovës dhe Serbisë, por jam i lumtur se presidenti Macron dhe kancelarja Merkel po përpiqen sërish të shohin mundësitë, ata kanë një vullnet të mirë. Parlamentet e këtyre vendeve duhet të përfshihen në këto çështje të rëndësishme sepse nuk është një çështje private”.

Në lidhje me akuzat ndaj Thaçit, Fleckenstein tha se “jam i bindur se sundimi i ligjit duhet të funksionojë. E di që presidenti Thaçi do të shkojë të hënën në Hagë dhe para se të dalë një vendim përfundimtar i Gjykatës nuk mund të komentoj sepse do tregohesha i padrejtë ndaj Thaçit dhe gjykatës për të dhënë një mendim. Duhet të presim detajet e akuzave si janë të shkruara dhe të presim vendimin e gjykatës që mendoj që do të jetë i zgjuar”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për