Rama zbardh diskutimet në Pogradec: Çdo kërkesë e qytetarëve do të ndiqet në kohë reale

23 Aug 2026 21:08
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje nga mbledhja rreth 7-orëshe e zhvilluar këtë të diel në Pogradec me të deleguarit politikë të Partisë Socialiste, kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare dhe deputetë të PS-së.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama bëri të ditur se takimi ishte pjesë e përgatitjeve për nisjen e sezonit të ri politik, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe mënyra e re e komunikimit mes qeverisë dhe qytetarëve.

“Nga Pogradeci, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta, aty ku ne u përpoqëm të mblidhnim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, lidhur me sezonin e ri politik. Kemi diskutuar për Besën, kemi diskutuar për Praninë Besnike, ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë me qytetarin dhe për Pasqyrën Unike, Pasqyra Albania, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet”, deklaroi Rama.

Reklamë Ola

Kreu i qeverisë u ndal veçanërisht te sistemi i ri që synohet të përdoret për trajtimin e kërkesave dhe problematikave të qytetarëve. Sipas tij, çdo çështje e adresuar pranë institucioneve duhet të jetë e gjurmueshme në kohë reale, njësoj siç ndiqet një dërgesë postare.

“Ambicia është që të arrijmë që çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarit të jetë një pako postale që ndiqet në kohë reale, nga dërguesi dhe nga ana tjetër shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”, u shpreh kryeministri.

Reklamë InterMedika

Rama tha se përmes këtij mekanizmi synohet të rritet përgjegjshmëria e administratës dhe të shmangen vonesat në trajtimin e çështjeve të qytetarëve.

Sipas tij, qytetarët duhet të kenë mundësi të shohin se në cilën fazë ndodhet kërkesa e tyre, ndërsa institucionet dhe zyrtarët përgjegjës do të jenë të monitorueshëm për respektimin e afateve.

Takimi në Pogradec zhvillohet në prag të nisjes së sezonit të ri politik, ndërsa Partia Socialiste dhe qeveria po përcaktojnë prioritetet dhe organizimin për muajt në vijim.