Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara rreth 5% të rezervave të mbetura të sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot, me synimin për të përballuar sulmet e pritshme ruse gjatë muajve të dimrit. Kërkesa është bërë gjatë një takimi me ish-zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence në Kiev.
Duke folur të dielën nga kryeqyteti ukrainas në një intervistë për CNN, Pence tha se Zelensky pret që presidenti rus Vladimir Putin të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës me afrimin e dimrit.
Sipas tij, shqetësimi i Kievit është se Moska do të përpiqet të godasë sistemin energjetik për të lënë qytetarët ukrainas pa energji dhe ngrohje gjatë temperaturave të ulëta.
“Një nga gjërat që presidenti Zelensky ma bëri të qartë është se ai pret plotësisht që, me afrimin e dimrit, Putin të fillojë të godasë jo vetëm shkollat dhe spitalet, jo vetëm qendrat tregtare, por edhe infrastrukturën energjetike, në përpjekje për t’ua imponuar të ftohtin e dimrit qytetarëve të Ukrainës”, deklaroi Pence.
Ish-zëvendëspresidenti amerikan tha se, sipas Zelenskyt, sigurimi i rreth 5% të kapaciteteve të mbetura amerikane të Patriot do të ishte i mjaftueshëm për ta ndihmuar Ukrainën të përballonte muajt e dimrit.
Megjithatë, kërkesa vjen në një moment kur rezervat amerikane të sistemeve dhe raketave interceptuese janë vënë nën presion edhe për shkak të konfliktit me Iranin. Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, kishte paralajmëruar më herët se rritja e prodhimit nuk mund ta zgjidhë menjëherë mungesën.
Pence sugjeroi se një pjesë e nevojave mund të mbulohej nga aleatët e SHBA-së, duke përmendur konkretisht Korenë e Jugut.
“Koreja e Jugut ka interceptorë shumë të sofistikuar dhe, pas zhvillimeve mes presidentit dhe Koresë së Jugut këtë javë, kjo mund të jetë një mundësi që presidenti Lee Jae Myung të ndërhyjë dhe t’i vërë këta interceptorë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara për t’i dislokuar në Lindjen e Mesme ose këtu në Ukrainë”, tha Pence.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh mes Uashingtonit dhe Seulit, pasi presidenti Donald Trump udhëzoi Pentagonin të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke iu referuar marrëdhënies së tij me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un. Koreja e Veriut, ndërkohë, ka dërguar trupa për të luftuar përkrah forcave ruse kundër Ukrainës.
Pence ndodhet në Kiev për aktivitetet e organizuara me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ku mori pjesë edhe ish-i dërguari amerikan Keith Kellogg.
Gjatë intervistës, ish-zëvendëspresidenti foli edhe për luftën me Iranin, duke mbështetur veprimet e Trump dhe duke argumentuar se prania ushtarake amerikane në rajon do të vazhdojë të jetë thelbësore.
Pence komentoi gjithashtu përplasjen tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë, pas dështimit të negociatave për një marrëveshje. Ai i kërkoi Trumpit të negociojë fort me Otavën, por të shmangë një luftë tregtare.
“Gjëja e fundit që na duhet tani, ndërsa ekonomia jonë po rimëkëmbet, është një luftë tregtare me Kanadanë”, deklaroi Pence, duke shprehur shpresën se përplasja aktuale do të mbetet pjesë e negociatave dhe nuk do të shndërrohet në një konflikt të gjerë tregtar.


