×
Monday, November 29, 2021

Drejtues të institucioneve të drejtësisë vizitë në Gjermani

November 13, 2021

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, bashkë me drejtues të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, përfundoi një vizitë pune në institucionet më të larta të drejtësisë në Gjermani dhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të parë nga afër sistemin gjerman të drejtësisë, si dhe atë të GJEDNJ.

Gjatë vizitës në Gjykatën Kushtetuese Federale në Karlsruhe delegacioni i lartë shqiptar bashkëbisedoi me zv. Presidenten e kësaj Gjykate, Prof. Dr. Doris King dhe gjyqtaren kushtetuese federale, Dr. Sibylle Kessal-Wulf, mbi funksionin e Gjykatës Kushtetuese Federale në një vend demokratik të shtetit të së drejtës.

Gjatë vizitës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, në një sesion të posaçëm me anëtarë të kësaj Gjykate, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbajti një fjalë me temë “Pavarësia dhe Paanësia e Gjyqtarëve”, e parë në përgjithësi dhe nga këndvështrimi i hetimit e procedimit disiplinor. Inspektori i Lartë, Artur Metani nënvizoi se, nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore, kjo pasi demokracia dhe sundimi i ligjit janë të lidhura bashkë.

Reforma në Drejtësi dhe Shqipëria ishte në fokus të bashkëbisedimit në takimin me deputetin e Bundestagut, anëtar i komisionit të Ligjeve dhe i Çështjeve Europiane, Dr. Volker Ulrich. Duke folur për punën e institucioneve të drejtësisë, Metani tha se, Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë sukses pa demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Dhe mënyra më e mirë për këtë është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kjo vizitë e delegacionit të lartë të drejtuesve të institucioneve shqiptare të drejtësisë, në përbërje të të cilit ishin Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, zv. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushaj, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi u organizua nga fondacioni Konrad Adenauer.

Eunews.al

Comments are closed.