Costa: Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare drejt anëtarësimit në BE

02 Jun 2026 15:05
Shpërndaje:

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

Costa theksoi se me mbajtjen e konferencës së fundit ndërqeveritare, Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore, duke hyrë në një fazë vendimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Kënaqësi që të vij në Tiranë. Sot përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe kjo në veçanti falë rolit tuaj, Edi, dhe angazhimit tuaj personal në këtë proces. Javën e shkuar pamë ecurinë e Shqipërisë dhe ajo i ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore. Shtetet anëtare kanë kuptuar dhe kanë vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së. Ky është fillimi i një faze impenjative”, deklaroi Costa.

Reklamë Ola

Ai nënvizoi se reformat nuk duhet të shihen thjesht si kushte për anëtarësim, por si zgjedhje strategjike për forcimin e shtetit dhe institucioneve demokratike.

“Këto reforma, më shumë se sa kushte, janë zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Angazhimi për ruajtjen e një pushteti gjyqësor të pavarur është themelor. Duhet të përshpejtohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Presidenti i Këshillit Europian theksoi gjithashtu rëndësinë e Bashkimit Europian si partneri kryesor ekonomik dhe strategjik i Shqipërisë.

“BE është partneri më i besueshëm i Shqipërisë. Është investuesi kryesor dhe partneri më i rëndësishëm tregtar. Bashkimi Europian mbështet ecurinë e Shqipërisë, siç është edhe qasja në SEPA dhe integrimi gradual në tregun europian”, tha Costa.

Duke folur për perspektivën e zgjerimit, ai e cilësoi atë një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën.

“Zgjerimi është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën, një investim për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, theksoi Costa.

Në fund të deklaratës së tij, ai shprehu pritshmëritë për takimin e radhës me liderët e rajonit në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tivat.

“Me kërshëri pres të ritakohemi shumë shpejt në samitin BE-Ballkani Perëndimor të premten në Tivat. Ky samit do të jetë një shenjë e qartë e vendosmërisë sonë për ta çuar më tej bashkëpunimin dhe procesin e integrimit”, përfundoi Costa.