Bundesliga “vret” frikën e koronavirusit, kthehet sot në fushë
Pritja merr fund. Të gjithë prozhektorët dhe sytë e tifozëve në të gjithë botën drejtohen nga Gjermania, ku Bundesliga vret frikën e Covid-19 dhe rikthehet në fushë për të mbyllur sezonin pas 64 ditësh pushim. Pa tifozë dhe me një protokoll të rreptë sanitar dhe shëndetësor që duhet respektuar, duke nisur nga ora 15:30 e ditës së sotme janë në program gjashtë ndeshjet e javës së 26-të. Futbolli gjerman jo vetëm që zbret I pari në fushë pas alarmit të pandemisë që pushtoi Europën, por do të shërbejë edhe si një model për të gjitha Ligat e tjera.
Pikërisht për këtë arsye pritshmëritë janë të mëdha. Kjo konfirmohet edhe nga faqet e para të gazetave më të mëdha sportive europiane. Disa e cilësojnë rikthimin e Bundesligës si një test, të tjera si një shpresë e madhe që ndizet për futbollin në kontinentin e vjetër.
Jo vetëm kaq, pasi kampionati gjerman prezantohet menjëherë me një ndeshje të madhe siç është derbi i Ruhrit mes Borussia Dortmund dhe Schalke. Bundesliga ka në program edhe dy ndeshje të dielën, ku në fushë kthehet Bayern Munich, kryesues i renditjes me katër pikë më shumë se Borussia Dortmund.
Eunews.al