Komisioni Evropian kërkon sqarime nga FIFA për planin e privatizimit të të drejtave tregtare të Kupës së Botës

29 Jul 2026 23:50
Shpërndaje:

Plani i FIFA-s për të privatizuar një pjesë të operacioneve tregtare të Kupës së Botës, me mbështetjen e një fondi investimesh të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, po përballet me shqyrtim nga Bashkimi Evropian.

Sipas një propozimi të publikuar nga FIFA, të drejtat tregtare dhe operacionet e Kupës së Botës për meshkuj dhe femra do të transferohen në një kompani të re, të quajtur FIFA Forward Enterprise. Rreth 20% e aksioneve të saj do t’u shiten investitorëve privatë, të udhëhequr nga fondi Thrive Capital, i drejtuar nga Josh Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. FIFA do të ruajë kontrollin e kompanisë.

Komisioneri Evropian për Sportin, Glenn Micallef, reagoi ndaj planit duke paralajmëruar se suksesi komercial nuk duhet të dëmtojë vetë futbollin.

Reklamë Ola

“Suksesi komercial duhet ta forcojë futbollin, jo ta konsumojë atë. Hiqni duart nga loja jonë”, shkroi ai në platformën X.

Micallef shtoi se propozimi ngre “çështje të rëndësishme që lidhen me ligjin e konkurrencës”, të cilat do të shqyrtohen nga Komisioni Evropian.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, marrëdhënia e ngushtë mes presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe Donald Trump ka rikthyer kritikat në Parlamentin Evropian.

Eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Rasmus Andresen, deklaroi se Infantino duhet të japë shpjegime para eurodeputetëve.

“Nëse këto plane janë të vërteta, Infantino duhet të shpjegojë veten. Duhet të organizojmë një seancë dëgjimore me komisionet ECON dhe CULT”, tha ai.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe eurodeputeti polak Bogdan Zdrojewski, raportues për Modelin Evropian të Sportit, i cili mbështeti idenë që kreu i FIFA-s të thirret në Parlamentin Evropian.

Ndërsa eurodeputetët Barry Andrews dhe Nela Riehl njoftuan se do të paraqesin një propozim zyrtar për të kërkuar paraqitjen e FIFA-s në një seancë të përbashkët dëgjimore sa më shpejt të jetë e mundur.

Për të siguruar mbështetjen e 211 federatave anëtare, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka propozuar një rritje të konsiderueshme të fondeve të zhvillimit. Nëse plani miratohet, secila federatë kombëtare do të mund të përfitojë deri në 20 milionë dollarë subvencion të njëhershëm, përveç rritjes së financimeve në vitet në vijim.

“Futbolli është sporti më popullor në botë dhe një motor i jashtëzakonshëm i zhvillimit njerëzor dhe shoqëror”, deklaroi Infantino.

Nga ana tjetër, Barry Andrews paralajmëroi se modeli social i futbollit evropian është dobësuar ndjeshëm.

“Modeli social i futbollit është gërryer gradualisht gjatë dy dekadave të fundit dhe tani bazohet në një hiper-kapitalizëm”, u shpreh ai.

Deri në publikimin e raportimit, as FIFA dhe as Thrive Capital nuk kishin komentuar zyrtarisht mbi planin.