Blinken viziton Moldavinë ndërsa tensionet me Rusinë rriten
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti sot në kryeqytetin moldav Kishinau, ndalesa e parë e vizitës së tij të shkurtër në Evropë që synon të forcojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën duke përfshirë të gjithë aleatët e NATO-s dhe vendet fqinje, sipas “Reuters”.
Udhëtimi i kryediplomatit amerikan vjen në një kohë kur Ukraina po përpiqet të shmangë intensifikimin e sulmeve ruse në lindje, ndërsa presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar se përdorimi i armëve perëndimore nga Kievi për të goditur brenda Rusisë, mund të shkaktojë një konflikt global.
Në Kishinau, Blinken do të takohet me presidenten pro-evropiane Maia Sandu dhe zyrtarë të tjerë të lartë në një kohë kur zyrtarët amerikanë thonë se ish-republika sovjetike prej 2,5 milionë banorësh, e cila ka një kufi të gjatë me Ukrainën, përballet me “operacionet e ndikimit” rus.
Jim O’Brien, diplomati më i lartë i SHBA-së për Evropën në Departamentin e Shtetit, u tha gazetarëve të premten se SHBA-ja ka të ngjarë të shpalli një “paketë të fuqishme” mbështetjeje për pavarësinë energjetike të Moldavisë, pa dhënë detaje.
Moldavia ka dënuar me vendosmëri pushtimin rus të Ukrainës dhe ka shprehur synimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo ka reduktuar ndjeshëm varësinë e saj nga gazi natyror rus dhe po diversifikon burimet e saj të furnizimit me energji elektrike.






