×
Thursday, February 12, 2026

Begaj pret zyrtarin e lartë amerikan, theksohet bashkëpunimi në sundimin e ligjit

February 11, 2026


Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, priti sot në Presidencë Drejtorin e Zyrës për Evropën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Tervakoski, i cili zhvilloi sot një vizitë në Tiranë.

Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.

Në një postim në rrjetin social “X”, Begaj ndau detaje nga takimi.

“Ne riafirmuam partneritetin dhe bashkëpunimin tonë strategjik si aleatë të NATO-s për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe ndërtimin e institucioneve më të forta në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare”, shkruan Begaj.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, zyrtari i lartë amerikan u takua edhe me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, si dhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, takimet theksuan forcën e partneritetit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit, si dhe angazhimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve.

Gjatë vizitës u riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare përmes ofrimit të ekspertizës, mjeteve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.




Comments are closed.