BE miraton rregulla të reja për sigurimin e ilaçeve kritike në Europë
Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje për rregulla të reja që synojnë të forcojnë prodhimin dhe furnizimin e ilaçeve kritike brenda Europës, me qëllim parandalimin e mungesave në treg.
Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare theksuan se masat synojnë të forcojnë zinxhirët farmaceutikë dhe të ulin varësinë nga furnitorët e jashtëm, sidomos nga vendet aziatike.
Ministri i Shëndetësisë i Qipros, Neophytos Charalambides, e cilësoi marrëveshjen si “një hap praktik për të reduktuar dobësitë, për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit dhe për të forcuar kapacitetin e Europës për të prodhuar ilaçe kritike më pranë territorit europian”.
Rregullorja e re, e quajtur Akti për Ilaçet Kritike, ende duhet të marrë miratimin final, por pritet të kalojë pa pengesa pasi kompromisi mes palëve është arritur.
Në vitet e fundit, disa vende europiane janë përballur me mungesa të barnave bazë si antibiotikë, qetësues dhe ilaçe për fëmijë, duke nxjerrë në pah dobësitë e zinxhirit global të furnizimit.
Sipas rregullave të reja, barnat e prodhuara brenda BE-së do të kenë përparësi në tenderët publikë, veçanërisht për ilaçet kritike ku ekziston varësi nga pak furnizues.
Gjithashtu parashikohen procedura më të shpejta miratimi dhe më shumë financime për projekte strategjike në industrinë farmaceutike.
Komisioni Evropian e përkufizon ilaçet kritike si barna pa alternativa të mjaftueshme, mungesa e të cilave mund të ketë pasoja serioze për pacientët, përfshirë trajtime për kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe antibiotikët.
Sipas Komisionit, rreth 80–90% e ilaçeve të përdorura në Europë vijnë nga Azia, kryesisht nga Kina, çka ka shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimit në rast krizash globale.







