×
Thursday, April 25, 2024

BE-ja mirëpret masat e kryeministrit të Kosovës për tarifat ndaj mallrave serbe

February 28, 2020


Bashkimi Europian mirëpriti vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e tarifave në importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj malrave serbe.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, tha në një komunikatë se Brukseli po pret të mësojë më shumë hollësi, por e mirëpret vendimin si një hap të parë që mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një mundësi për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuara nga Bashkimi Europian.

“Është humbur shumë kohë. Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që bisedimet të rifillojnë në dobi të të dyjave”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësues i bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se do të fillojë heqjen e kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten mbrëma se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.

Nuk ka pasur ende një reagim nga Beogradi i cili ishte tërhequr nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian duke kushtëzuan kthimin me heqjen e tarifave.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments