×
Tuesday, December 6, 2022

Balluku: 2 anijet në Vlorë kursejnë rreth 60 % të parave për importin e energjisë

September 26, 2022

Shqipëria po punon intensivisht për të rritur kapacitetet prodhuese të energjisë, jo vetëm për përballimin e krizës që ka vendosur në vështirësi të gjithë botën, po edhe për të realizuar planin strategjik të Shqipërisë sovrane dhe eksportuese neto në energji.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me ambasadoren amerikane Yuri Kim, vizituan termocentralet lundruese të prodhimit të energjisë të vendosura në Vlorë nga kompania amerikane “Excelerate Power”.

Zv/kryeministrja Balluku u shpreh se falë dy anijeve prodhuese, do të kursehet rreth 60 % e parave nga ajo që do të importohet për energjinë që mungon. Ajo u shpreh se në vitin 2023 çdo megavat-orë do të kushtojë 529 euro, ndërsa prodhimi i energjisë në këto anije do të jetë përafërsisht gjysma e kësaj shume.

“Prodhimi do të arrijë në 114 megavat ose 15 % e nevojave që Shqipëria ka për energji elektrike. Sasia vjetore llogaritet 867 gigavat. I kemi vendosur në zonën e Petroliferës, pasi parashikohet të bëhen të gjitha punimet për t’i bërë gati të nisin nga puna, më pas do të transferohen në zonën e Triportit”, tha Balluku.

Duke iu përgjigjur edhe debatit të fundit politik në vend rreth dy anijeve, Balluku u shpreh se parametrat e operimit të tyre janë sipas standardeve ndërkombëtare.

“Sot dhe për dy vitet e ardhshme deri sa të kemi në Triport gazin e lëngshëm amerikan, këto anije lundruese do të funksionojnë me naftë që përdoret për prodhim energjie nga njësi të tilla prodhuese. Synimi ynë është që këto dy anije lundruese të kthehen në anije prodhuese përmes LNG-së. Nga marrëveshja paraprake me “Excelerate Power” në fund të 2-vjeçarit do të kemi në pronësi të KESH-it të dy anijet. Këto janë asete të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit, të cilat KESH-i mund ti japë me qira në vende të tjera, duke prodhuar të ardhura për kompaninë”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, parametrat ambientale janë optimale dhe në limitet më të ulëta sa i përket zonës që do të operojnë, edhe sa i përket emetimeve janë në përputhshmëri të plotë.

Zv/kryeministrja Balluku po ashtu deklaroi se do të ishte e pamundur për Shqipërinë të kishte një njësi gjeneruese prej 114 megavat pa angazhimin e ambasadores dhe vetë kompanisë.

“Nga të gjitha të dhënat që kemi, një megavat për 2023-shin mesatarisht do të kushtojë 529 euro. Kostoja e megavatit nga këto njësi, në varësi të kostos së naftës, do të jetë deri në 170-200 euro, pra më pak se gjysma e asaj që do të tregtohet në bursë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë energjetike, ku përveç faktit që do të prodhohet 15 % e nevojës vendase, ne do arrijmë të kursejmë rreth 60 % të sasisë së parave nga ajo që do të importohet për energjinë që na mungon”, deklaroi Balluku.



Comments are closed.