Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka deklaruar se autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që një shtet i huaj të jetë pas incidentit me dronin e ngarkuar me eksploziv, i gjetur në aeroportin e Lajpcigut, duke e cilësuar ngjarjen si një kërcënim të mundshëm hibrid.
Në një intervistë për transmetuesin publik ZDF, Dobrindt tha se hetimet janë ende në zhvillim, por se ekzistojnë shumë elementë që tregojnë drejt përfshirjes së aktorëve shtetërorë.
“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë që pas kësaj ngjarjeje të qëndrojnë fuqi të huaja. Kjo do të jetë pjesë e hetimit, pasi ka shumë tregues që të çojnë në këtë drejtim,” deklaroi ai.
Megjithëse nuk përmendi drejtpërdrejt Rusinë, ministri gjerman theksoi se kërcënime të tilla hibride zakonisht nuk organizohen nga individë të zakonshëm.
“Një kërcënim hibrid është i dukshëm. Ngjarje të tilla nuk organizohen nga amatorë, por shpesh lidhen me fuqi të huaja. Sigurisht që të gjithë duam të dimë se cilat janë këto fuqi, por do të ishte e papërgjegjshme të spekulohej në këtë fazë të hetimeve,” shtoi ai.
Aeroporti i Lajpcigut konsiderohet një pikë strategjike për NATO-n, pasi shërben si qendër logjistike për transportet ushtarake drejt Ukrainës. Ai është gjithashtu qendra më e madhe evropiane e kompanisë DHL dhe përdoret për strehimin e përkohshëm të disa avionëve transportues Antonov të Ukrainës, të mbrojtur nga sulmet ruse.
Sipas autoriteteve, droni i pajisur me eksploziv u gjet vetëm pak metra larg një avioni ukrainas Antonov, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë.
Ministri i Brendshëm i landit të Saksonisë, Armin Schuster, e cilësoi incidentin si një nivel të ri kërcënimi për Gjermaninë.
“Pa paragjykuar hetimet, do ta përshkruaja këtë si një skenar të dyshuar sulmi, sepse është hera e parë që përballemi me një dron të ngarkuar me eksploziv. Kjo është diçka krejtësisht e re,” u shpreh Schuster.
Droni u zbulua të martën në mbrëmje nga një punonjës i aeroportit. Forcat speciale çaktivizuan pajisjen duke hequr detonatorin, i cili nuk kishte funksionuar.
Në një incident tjetër të lidhur me të njëjtën ngjarje, një avion transporti i DHL-së, i devijuar nga aeroporti pas alarmit, u përplas gjatë ngritjes me një objekt fluturues të paidentifikuar. Autoritetet po hetojnë nëse dy incidentet kanë lidhje mes tyre.


