Një zjarr i madh pyjor, që ka përfshirë një rezervat natyror në lindje të Holandës, vijon të jetë jashtë kontrollit, pasi flakët kanë vazhduar të përhapën gjatë orëve të para të mëngjesit.
Rreth 250 zjarrfikës dhe helikopterë ushtarakë për shuarjen e zjarreve, janë angazhuar në operacion, njoftuan autoritetet e sigurisë.
Deri tani, zjarri ka përfshirë rreth 100 hektarë tokë. Një zëdhënës i autoriteteve tha se përpjekjet janë përqendruar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Zjarri shpërtheu dje në rezervatin natyror “De Rosmolen”, pranë kufirit me Gjermaninë, për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.
Erërat dhe temperaturat e larta, bënë që flakët të përhapeshin me shpejtësi në majat e pemëve.
Qindra zjarrfikës luftuan me flakët gjatë gjithë natës. Banorëve të zonës u është kërkuar të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert për shkak të tymit të dendur.
Përkohësisht u pezullua edhe qarkullimi hekurudhor mes Boxmeer dhe Venray.
Era e fortë e tymit është përhapur edhe në anën gjermane të kufirit, duke shqetësuar banorët e distriktit Kleve, sipas shërbimit lokal zjarrfikës.
Autoritetet gjermane thanë se ndikimi i tymit ndryshon në varësi të drejtimit dhe shpejtësisë së erës, por theksuan se nuk ka rrezik për popullsinë.
Deri më tani, shërbimi zjarrfikës i Holandës nuk ka kërkuar ndihmë shtesë, por zjarrfikësit në Kleve janë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse do të jetë e nevojshme.
Si masë paraprake, edhe banorëve të Kleves u është rekomanduar të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert.


