Polonia dhe shtetet baltike kanë forcuar masat e sigurisë rreth infrastrukturës kritike, përfshirë centrale energjetike, diga, terminale gazi dhe rrjete elektrike, për shkak të shqetësimeve se Rusia mund të organizojë një sulm të inskenuar për t’ia atribuuar Ukrainës.
Sipas një raportimi të Reuters, Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia po përgatiten për skenarë të mundshëm sabotimi, duke shtuar mbrojtjen e objekteve strategjike në një periudhë tensionesh të larta me Moskën.
Autoritetet lituaneze kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë dronë të prodhuar në Ukrainë për të kryer një sulm të tipit “false flag”, me qëllim fajësimin e Kievit dhe testimin e reagimit të NATO-s. Paralajmërime të ngjashme kanë bërë edhe Polonia, Letonia dhe Estonia.
Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, deklaroi se vendi po monitoron nga afër zhvillimet dhe po bashkëpunon ngushtë me shërbimet e inteligjencës.
“Ne nuk jemi naivë, shohim informacionet, lexojmë mes rreshtave dhe po bëjmë detyrën tonë”, tha ai për Reuters.
Lituania ka dislokuar forca ushtarake për të mbështetur policinë në mbrojtjen e terminalit të gazit të lëngshëm në Klaipeda, terminalit të produkteve të naftës, lidhjes energjetike me Poloninë dhe hidrocentralit të pompimit në Kruonis.
Edhe Letonia ka shtuar masat e sigurisë rreth objekteve strategjike, përfshirë digën mbi lumin Daugava pranë Rigës dhe rezervuarin nëntokësor të gazit në Incukalns.
Burime të inteligjencës të cituara nga Reuters vlerësojnë se strukturat ruse të sigurisë mund të planifikojnë një sulm të inskenuar ndaj infrastrukturës në Rusi, Poloni ose vendet baltike, duke përdorur dronë që mund të lidhen me Ukrainën.
Sipas zyrtarëve, shqetësimi nuk lidhet vetëm me dëmet materiale që mund të shkaktohen, por edhe me pasojat politike, pasi një incident i tillë mund të krijojë përçarje dhe pasiguri brenda NATO-s lidhur me mënyrën e reagimit.
Një zyrtar rajonal tha se paralajmërimet e shërbimeve aleate kanë rritur ndjeshëm nivelin e alarmit në vendet baltike, megjithëse aktualisht nuk ka prova se një sulm është i pashmangshëm.
Kremlini i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “histori frikësuese” që, sipas Moskës, përdoren për të justifikuar militarizimin e mëtejshëm kundër Rusisë. Autoritetet ruse kanë deklaruar vazhdimisht se Perëndimi e akuzon Moskën pa paraqitur prova konkrete.
Në Poloni, kompania shtetërore e energjisë Orlen po shqyrton rrugë alternative për importin e gazit në rast se infrastruktura ekzistuese do të dëmtohej. Aktualisht, rreth 80% e gazit të importuar nga vendi kalon përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Świnoujście dhe tubacionit nëndetar që e lidh Poloninë me Norvegjinë.
Njëkohësisht, operatori i rrjetit energjetik polak ka shtuar mbrojtjen e lidhjes elektrike me Ukrainën, e cila luan rol të rëndësishëm në stabilizimin e sistemit energjetik ukrainas të dëmtuar nga lufta.
Ndërkohë, kompania shtetërore që po ndërton centralin e parë bërthamor të Polonisë njoftoi se ka zbuluar dokumente të falsifikuara, të cilat dyshohet se synonin të krijonin konfuzion mes institucioneve dhe partnerëve të projektit. Sipas kompanisë, rasti po hetohet në bashkëpunim me shërbimet speciale dhe autoritetet ligjzbatuese.
Shqetësimet janë shtuar edhe pas incidenteve të fundit me dronë në Evropë. Në Gjermani, autoritetet zbuluan së fundmi një dron të pajisur me lëndë shpërthyese pranë aeroportit Leipzig/Halle, ndërsa hetimet për autorët e incidentit vijojnë.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se operacione të tilla hibride mund të synojnë krijimin e pasigurisë në Evropë, destabilizimin e aleancës perëndimore dhe testimin e gatishmërisë së NATO-s për t’iu përgjigjur provokimeve të mundshme.


