Deputeti ukrainas: Njohja e Kosovës mbetet në dorën e Zelenskyt

10 Aug 2026 15:25
Shpërndaje:

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin e Ukrainës, Oleksandr Merezhko, ka deklaruar se në Ukrainë ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me njohjen e Kosovës, por se vendimi përfundimtar i takon presidentit Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për Shërbimin e Kosovës të Radios Evropa e Lirë, Merezhko tha se argumentet kryesore kundër njohjes lidhen me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për të justifikuar pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen që Serbia i jep integritetit territorial të Ukrainës, si dhe me faktin se municione serbe përfundojnë në Ukrainë.

Megjithatë, ai u shpreh skeptik ndaj këtyre argumenteve, duke theksuar se, sipas tij, njohja e Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Reklamë Ola

“Në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për këtë çështje, veçanërisht mes deputetëve të Radës. Megjithatë, vendimi për njohjen ose mosnjohjen e Kosovës i takon presidentit. Është prerogativë e tij”, deklaroi Merezhko.

Sipas tij, argumenti i parë kundër njohjes është se një vendim i tillë mund t’i jepte Rusisë një justifikim për të legjitimuar pushtimin e Krimesë dhe territoreve të tjera ukrainase.

Reklamë InterMedika

Një tjetër argument lidhet me faktin se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, ndaj edhe Kievi, sipas këtij qëndrimi, duhet të mbështesë integritetin territorial të Serbisë.

Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin indirekt ushtarak me Serbinë, duke theksuar se municionet serbe, të shitura vendeve të treta, përfundojnë në Ukrainë dhe janë të rëndësishme për mbrojtjen e saj.

“Personalisht, jam skeptik ndaj secilit prej këtyre argumenteve, por ky është qëndrimi im personal. Ka gjithashtu argumente në favor të njohjes. Në veçanti, njohja e Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi për këtë çështje ekziston edhe opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ai.

I pyetur nëse qëndrimi i Ukrainës lidhet më shumë me Krimenë apo me ruajtjen e marrëdhënieve me Serbinë, Merezhko u përgjigj se faktori kryesor mbetet integriteti territorial i Ukrainës.

“Kryesisht lidhet me Krimenë dhe integritetin territorial dhe, ndoshta, edhe me çështjen e municionit”, u shpreh ai.

Deputeti ukrainas shtoi se, sipas tij, Serbia do të vazhdojë të furnizojë me municione vende të tjera pavarësisht vendimit të Ukrainës për Kosovën, pasi kjo i sjell përfitime ekonomike dhe lidhet edhe me qëndrimin e Bashkimit Evropian.

Ai kritikoi gjithashtu politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç ndaj Rusisë.

“Problemi është se Vuçiç nuk synon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por në të njëjtën kohë ka nevojë të krijojë para Bashkimit Evropian përshtypjen se nuk është vetëm aleat i Putinit, por se ka edhe marrëdhënie të mira me Kievin”, tha Merezhko.

Sipas tij, çështja e njohjes së Kosovës mund të rikthehet në agjendën politike të Ukrainës pas përfundimit të luftës.

“Kjo çështje mund të rikthehet në agjendë pas përfundimit të luftës. Shumëçka do të varet nga qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të tij anëtare. Në përgjithësi, jeta politike në Ukrainë është shumë dinamike”, përfundoi ai.