Arrestohet punonjësja televizionit shtetëror rus pas protestës kundër luftës
Një protestuese kundër luftës ndërpreu për pak çaste të hënën, emisionin e lajmeve të televizionit shtetëror rus Channel One, duke ngritur një parrullë kundër luftës pas gazetares që po jepte lajmet.
Parulla në anglisht dhe rusisht shkruante “Jo Luftë. Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë”.
Ky gjest i pazakontë disidence ndodhi në ditën e 19 të luftës në Ukrainë, që filloi me sulmin e Rusisë kundër këtij vendi më 24 shkurt. Rusia e mohon që po zhvillohet luftë dhe thotë se është vetëm një operacion special ushtarak.
Protestuesja u pa për disa sekonda në ekran duke bërë thirrje kundër luftës, derisa stacioni kaloi në një kronikë për ta larguar atë nga ekrani.
Televizioni shtetëror është mjeti kryesor i informimit në Rusi dhe propagandon qëndrimin e Kremlinit se Rusia u detyrua të ndërhyjë në Ukrainë për ta çarmatosur dhe çliruar Ukrainën nga nazizmi si dhe në mbrojtje të popullsisë rusisht-folëse, ndaj tsë cilës, sipas Kremlinit, po kryhet gjenocid. Ukraina dhe shumica e botës e kanë dënuar si pretekst të rremë justifikimin e Moskës për të sulmuar një vend demokratik.
Protestuesja është identifikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si punonjësja e televizionit Marina Ovsyannikova. Ajo është arrestuar. Sipas agjencisë Tass, ajo mund të dënohet në bazë të ligjit që nuk lejon diskreditimin e forcave të armatosura. Ligji i miratuar më 4 mars, e bën të paligjshme protestën në publik kundër ushtrisë dhe parashikon dënime deri në 15 vjet burg.
Në një video të postuar në internet para protestës, një grua që duket se është Marina, thotë se ajo punon për televizionin Channel One dhe thotë se ndihet e turpëruar që ka punuar për vite duke përhapur propagandën e Kremlinit. Ajo thotë se i jati i saj është ukrainas dhe nëna ruse./VOA
Eunews.al