Një shtetase kanadeze me origjinë kineze, e cila kryente praktikën profesionale në NATO, është arrestuar në Belgjikë nën dyshimin për spiunazh në emër të një vendi të tretë dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Lajmi u konfirmua nga Zyra e Prokurorit Federal Belg, e cila bëri të ditur se e dyshuara punonte në Selinë Strategjike të Fuqive Aleate të NATO-s për Evropën (SHAPE), me seli në qytetin Mons.
Sipas autoriteteve belge, praktikantja kishte tërhequr vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së SHAPE, të cilat e referuan rastin pranë Shërbimit të Përgjithshëm të Inteligjencës dhe Sigurisë (SGRS). Më pas, çështja iu kalua Zyrës së Prokurorit Federal, e cila urdhëroi nisjen e hetimeve.
“Nga hetimet paraprake rezultoi se e dyshuara mund të ketë kryer veprimtari spiunazhi në emër të një vendi të tretë, si edhe të ketë qenë pjesë e një organizate kriminale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Hetimi iu besua Policisë Federale Gjyqësore në Charleroi, e cila zhvilloi kontrolle në banesën dhe vendin e punës së të dyshuarës. Pas veprimeve hetimore dhe marrjes në pyetje, gjyqtari i çështjes vendosi masën e arrestit ndaj saj.
Autoritetet belge nuk kanë bërë publike detaje të mëtejshme mbi vendin për llogari të të cilit dyshohet se kryhej aktiviteti i spiunazhit apo mbi informacionet që mund të jenë objekt i hetimit, duke theksuar se procedurat janë ende në zhvillim.