Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të procesit të integrimit europian, duke theksuar se vendi ka tashmë një perspektivë të qartë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Financial Times, Rama u shpreh optimist për ecurinë e negociatave, duke vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria në vitet e fundit.
“Kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian. Vendi është në momentin më të mirë në shumë aspekte”, deklaroi kryeministri.
Në analizën e saj, Financial Times e rendit Shqipërinë ndër vendet kandidate që kanë bërë përparim konkret në zbatimin e reformave dhe në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas gazetës britanike, zgjerimi i BE-së po merr një dimension të ri, ku anëtarësimi nuk shihet më vetëm si një proces ekonomik apo institucional, por edhe si një zgjedhje strategjike për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në kontinent.
Artikulli thekson se prej 13 vitesh Bashkimi Europian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri, por zhvillimet e fundit gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës, kanë rikthyer zgjerimin në qendër të agjendës politike të Brukselit.
Megjithatë, gazeta vëren se, pavarësisht vullnetit për të përshpejtuar procesin, institucionet europiane vijojnë të përballen me dilema lidhur me ritmin dhe mënyrën e zgjerimit të bllokut.
Nga njëra anë, vendet kandidate po kërkojnë hapa më të shpejtë drejt anëtarësimit, nën presionin e qytetarëve që presin rezultate konkrete. Nga ana tjetër, disa shtete anëtare mbeten të rezervuara, duke shprehur shqetësime për gatishmërinë e Bashkimit Europian dhe për skepticizmin e opinionit publik ndaj pranimit të anëtarëve të rinj.
Sipas Financial Times, pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi ndjeshëm qasjen e Bashkimit Europian ndaj zgjerimit, duke e kthyer atë në një prioritet strategjik. Pas një periudhe të gjatë stagnimi, procesi ka rifituar ritëm, duke rritur pritshmëritë se një vend i ri mund t’i bashkohet BE-së brenda dy viteve të ardhshme.
Në këtë kontekst, Shqipëria përmendet si një nga vendet që ka avancuar më shpejt në procesin e reformave dhe negociatave, duke forcuar pozicionin e saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.


