BE vendos sanksione të reja ndaj pesë zyrtarëve rusë pas sulmeve ndaj civilëve në Ukrainë

07 Aug 2026 23:54
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian ka shtuar pesë individë të tjerë në listën e sanksioneve ndaj Rusisë, duke argumentuar se vendimi lidhet me intensifikimin e sulmeve ruse që synojnë civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë.

Në njoftimin zyrtar, BE thekson se masat janë përgjigje ndaj përshkallëzimit të sulmeve ruse, megjithëse nuk i referohet një incidenti të caktuar. Vetëm pak ditë më parë, Rusia kreu një nga bombardimet më vdekjeprurëse ndaj Kievit, ku humbën jetën 17 persona. Në korrik, një tjetër sulm në kryeqytetin ukrainas kishte shkaktuar 12 viktima.

Mes personave të sanksionuar është Ramil Badgutdinov, drejtues i një kompanie që kontribuon në prodhimin e raketave balistike Iskander-M, si dhe Aleksandr Dyukarev, drejtues i uzinës KrasMash, e cila prodhon raketat balistike Sarmat.

Reklamë Ola

Edhe pse Rusia nuk i ka përdorur ende raketat Sarmat në luftën në Ukrainë, autoritetet ruse kanë vijuar testimet e tyre.

Tre individët e tjerë të përfshirë në paketën e re të sanksioneve drejtojnë kompani të industrisë së mbrojtjes që zhvillojnë sisteme komunikimi, programe kompjuterike për mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe teknologji ushtarake të lidhura me hapësirën.

Reklamë InterMedika

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se Moska po përshkallëzon fushatën e saj kundër popullsisë civile, ndërsa forcat ruse po hasin vështirësi në vijën e frontit.

“Me ushtrinë e saj të bllokuar në fushën e betejës, Moska po përshkallëzon më tej fushatën e terrorit kundër civilëve. Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Rusisë derisa Moska t’i japë fund luftës”, u shpreh Kallas.