Kryeministri i Irakut thërret mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë pas sulmeve të SHBA-së dhe Arabisë Saudite

29 Jul 2026 13:40
Shpërndaje:

Kryeministri i Irakut, Ali al-Zaidi, ka urdhëruar zhvillimin e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas sulmeve ajrore të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kundër milicive të mbështetura nga Irani në territorin irakian.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore irakiane e lajmeve INA, sipas së cilës mbledhja në Bagdad do të fokusohet në situatën e sigurisë dhe pasojat e sulmeve të zhvilluara gjatë natës.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se objektiv i operacionit ishin grupet e armatosura aleate të Iranit që veprojnë në Irak.

Reklamë Ola

Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), një koalicion që përfshin kryesisht milici shiite të afërta me Teheranin, njoftuan se nga sulmet u vranë 20 luftëtarë dhe u plagosën 32 të tjerë.

Sipas PMF-së, sulmet amerikano-saudite goditën objektiva në disa zona të Irakut, përfshirë rrethinat e Bagdadit, provincën jugore të Basrës dhe provincën veriore Nineveh. Milicia pretendon se nga bombardimet u dëmtuan edhe ndërtesa, automjete dhe pajisje ushtarake.

Reklamë InterMedika

Nga ana tjetër, ushtria amerikane deklaroi se operacioni ishte një kundërpërgjigje ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë, të cilat, sipas saj, ishin urdhëruar nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit gjatë 72 orëve të fundit.

Edhe Ministria saudite e Mbrojtjes konfirmoi pjesëmarrjen në operacion, duke bërë të ditur se sulmet, të kryera në bashkëpunim me forcat amerikane, kishin në shënjestër pozicionet e milicive që më parë ishin përdorur për sulme ndaj objekteve të naftës në Arabinë Saudite.

Që prej përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij, vendet e Gjirit janë bërë objekt i sulmeve nga grupe të armatosura me bazë në Irak, ku milicitë e mbështetura nga Teherani vazhdojnë të ushtrojnë ndikim të konsiderueshëm.

Qeveria e kryeministrit Ali al-Zaidi ka deklaruar se synon çarmatimin e këtyre milicive, megjithatë deri më tani nuk ka shenja konkrete se ky objektiv mund të arrihet në një periudhë të afërt. Al-Zaidi mori detyrën e kryeministrit të Irakut në muajin maj.