Kosova prej tre muajsh pa institucione të reja, negociatat Kurti-Abdixhiku për Presidentin mbajnë çelësin e zhbllokimit

31 Aug 2026 08:39
Shpërndaje:

Kosova vijon të mbetet pa institucione të reja gati tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa ngërçi politik është përqendruar tashmë te negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit.

Edhe pse procesi zgjedhor ka përfunduar prej javësh, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së për kreun e ri të shtetit po shihet si mundësia kryesore për zhbllokimin e situatës dhe hapjen e rrugës për krijimin e institucioneve.

Vetëvendosje doli forcë e parë në zgjedhjet e 7 qershorit me 53 mandate dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka shumicën e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Reklamë Ola

Situata bëhet më e ndërlikuar kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Presidentit. Që votimi të jetë i vlefshëm kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende, duke e bërë të nevojshme arritjen e një mirëkuptimi politik më të gjerë.

Për këtë arsye, negociatat zyrtare dhe kontaktet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së janë përqendruar gjatë ditëve të fundit te gjetja e një kandidature që mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme.

Reklamë InterMedika

LDK-ja ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në një koalicion qeverisës me Vetëvendosjen, por ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar për zgjedhjen e Presidentit. Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar deri tani tri herë për këtë çështje.

Takimi i fundit, i dyti brenda një jave dhe i treti në total, u zhvillua të shtunën në mbrëmje. Pas disa orësh diskutimesh, palët nuk njoftuan arritjen e një marrëveshjeje konkrete, por konfirmuan se në tryezë po diskutohen emra të mundshëm për kreun e shtetit.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se java e ardhshme mund të rezultojë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ndërkohë, të dielën mediat në Kosovë raportuan se Kurti dhe Abdixhiku mund të jenë pajtuar në parim për emrin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, si kandidat për President.

Deri tani, këto raportime nuk janë konfirmuar publikisht as nga Sejdiu dhe as nga Kurti apo Abdixhiku. Edhe Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë shmangur deklaratat që do të konfirmonin se mes tyre ekziston tashmë një marrëveshje përfundimtare.

Emri i Bekim Sejdiut ka sjellë reagime të ndryshme në Kosovë. Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka vlerësuar profilin e tij, duke evidentuar përvojën në drejtësi, diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Edhe ish-deputeti Ilir Deda është shprehur pozitivisht, duke deklaruar se Sejdiu do t’i bënte nder Kosovës nëse do të zgjidhej në krye të shtetit.

Nga ana tjetër, analisti Shenoll Muharremi ka ngritur pikëpyetje nëse kandidatura mund të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë politike, ndërsa juristi Arton Demhasaj ka shprehur rezerva për mënyrën se si po zhvillohet procesi për gjetjen e Presidentit të ri.

Bekim Sejdiu nuk është emri i vetëm që është propozuar si një kandidaturë e mundshme konsensuale. Javën e kaluar, ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi dhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, propozuan publikisht ish-deputetin e LDK-së, Faton Bislimi.

DioGuardi dhe Walker e paraqitën Bislimin si një figurë që mund të bashkojë spektrin politik, duke vlerësuar përvojën e tij në politikë, akademi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Ndërsa vazhdojnë negociatat LVV-LDK, PDK-ja dhe AAK-ja po shtojnë presionin ndaj Kurtit, të cilin e akuzojnë për zvarritjen e krijimit të institucioneve. Deputetët e dy partive opozitare u mblodhën edhe të dielën në sallën e Kuvendit, ku fajësuan kryeministrin në detyrë për bllokimin e procesit.

“Jam rritë tu e parë Albin Kurtin tu i gjuajtur institucionet e Kosovës me gurë, me zjarr, me molotov e në forma të ndryshme, ndërsa tash si përfaqësues i popullit këtë kuvend po e përjetoj Albin Kurtin duke e cenu rendin kushtetues”, deklaroi deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri.

Edhe deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, akuzoi Vetëvendosjen se tashmë nuk po e fsheh përgjegjësinë për situatën.

“Edhe sot, sikurse ato ditë, me sinqeritet po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit të Kosovës, të shtetit të Kosovës. Dhe ata tashmë as nuk po e fshehin që janë bllokuesit”, deklaroi Ramadani.

Më herët, PDK-ja dhe AAK-ja kanë dorëzuar edhe kallëzime penale në Prokurorinë Speciale, duke kundërshtuar vendimet e marra nga qeveria në detyrë dhe vazhdimin e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga ministra që janë zgjedhur deputetë.

Në këto kushte, vëmendja mbetet e përqendruar te negociatat mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Një marrëveshje për një kandidat konsensual për Presidentin mund t’i hapë rrugë zhbllokimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.

Nëse negociatat dështojnë dhe palët nuk arrijnë të gjejnë një formulë që siguron mbështetjen e nevojshme parlamentare, Kosova rrezikon të përballet përsëri me zgjedhje të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat parlamentare brenda dy viteve.