Inspektorati i Përgjithshëm përcakton prioritetet e reja, Sula: Më shumë ligjshmëri, transparencë dhe përgjegjshmëri

28 Aug 2026 18:03
Shpërndaje:

Në vijim të analizës dyditore të zhvilluar në Pogradec, të thirrur nga Kryeministri Edi Rama, dhe prioriteteve të përcaktuara për qeverisjen deri në vitin 2030, Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka mbledhur në një takim pune kryeinspektorët dhe drejtorët e përgjithshëm të inspektorateve qendrore.

Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkërendimit institucional, standardizimi i veprimtarisë inspektuese dhe zbatimi i kuadrit të ri ligjor për inspektimin në Shqipëri.

Sula u komunikoi drejtuesve prioritetet e punës për periudhën në vijim dhe drejtimet kryesore të bashkëpunimit ndërmjet Inspektoratit të Përgjithshëm dhe inspektorateve qendrore.

Reklamë Ola

Gjatë diskutimeve u theksua roli i Inspektoratit të Përgjithshëm në mbikëqyrjen, bashkërendimin, standardizimin dhe vlerësimin e të gjithë sistemit të inspektimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës që strukturat inspektuese të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të zbatojnë standarde dhe metodologji të unifikuara në të gjithë territorin e vendit.

Inspektori i Përgjithshëm vuri theksin te forcimi i ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë në proceset e inspektimit, si dhe te orientimi i administratës drejt rezultateve konkrete për qytetarët dhe bizneset.

Reklamë InterMedika

Në këtë kuadër u diskutua edhe trajtimi efektiv i ankesave, si dhe përdorimi i të dhënave që burojnë prej tyre për analizimin e riskut dhe përmirësimin e planifikimit të kontrolleve.

Në takim u paraqit gjithashtu një panoramë e veprimtarisë së sistemit të inspektimit gjatë muajve të fundit. Në periudhën nga 15 korriku deri më 24 gusht janë kryer 106 mbikëqyrje të procedurave të inspektimit dhe janë administruar rreth 400 praktika ankimore.

Në drejtim të forcimit të kapaciteteve njerëzore, gjatë periudhës mars-gusht janë plotësuar 48 pozicione pune. Ndërkohë, vijon procesi për plotësimin e vendeve të tjera vakante, duke synuar respektimin e standardeve ligjore si në emërime, ashtu edhe në zhvillimin e karrierës.

Për periudhën në vijim, puna do të përqendrohet te unifikimi i praktikave inspektuese, respektimi rigoroz i procedurave, dokumentimi i plotë i veprimeve dhe vendimmarrjeve, forcimi i meritokracisë në rekrutime dhe rritja e përgjegjshmërisë së trupave inspektuese.

Në funksion të koordinimit institucional, Inspektorati i Përgjithshëm do të zhvillojë takime periodike me kryeinspektorët, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtuesit rajonalë. Bashkëpunimi me inspektoratet do të intensifikohet edhe për shkëmbimin e informacionit, identifikimin dhe adresimin e problematikave, si dhe standardizimin e praktikave në nivel kombëtar.

Synimi, sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, është ndërtimi i një sistemi inspektimi profesional, transparent dhe të unifikuar, që funksionon mbi bazën e ligjit dhe është i orientuar drejt rezultateve konkrete për qytetarët, bizneset dhe interesin publik.