Linda Rama për “Fortune Greece”: Ballkani Perëndimor duhet ta kthejë talentin, teknologjinë dhe bashkëpunimin në motorë zhvillimi

28 Aug 2026 17:51
Shpërndaje:

Ekonomistja Linda Rama ka analizuar transformimet e thella ekonomike, sociale dhe politike të Ballkanit Perëndimor gjatë tri dekadave të fundit, duke argumentuar se rajoni ndodhet sot në një fazë vendimtare, ku sfida nuk është më vetëm rritja ekonomike, por cilësia e saj, produktiviteti, forcimi i institucioneve dhe aftësia për t’u integruar në mënyrë të qëndrueshme në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për “Fortune Greece”, Rama, PhD në Ekonomi, bashkëthemeluese e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor në Shqipëri dhe bashkëshorte e Kryeministrit Edi Rama, ndalet te perspektiva ekonomike e rajonit, inovacioni, teknologjia, emigrimi i fuqisë punëtore dhe potenciali që mund të krijojë një bashkëpunim më i fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, rajoni ka kaluar një prej transformimeve më të thella politike, ekonomike dhe sociale në Europë që prej viteve ’90. Në rastin e Shqipërisë, ajo vlerëson se ndryshimi ka qenë edhe më i madh për shkak të izolimit ekstrem gjatë regjimit komunist dhe nivelit të ulët të zhvillimit që vendi kishte trashëguar.

Reklamë Ola

“Përmasa e plotë e këtij transformimi historik të rajonit tonë do të shpërblehet vetëm kur Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Europian”, shprehet Rama.

Ajo evidenton përmirësimin e menaxhimit makroekonomik, disiplinimin e financave publike, zgjerimin e shërbimeve publike digjitale dhe avancimin e infrastrukturës. Por sfida e re, sipas saj, është nëse institucionet, bizneset dhe shoqëritë e rajonit do të përshtaten mjaftueshëm për të konkurruar brenda BE-së dhe në një botë të karakterizuar nga fragmentimi, presionet e sigurisë, zhvillimi i shpejtë teknologjik, ndryshimet klimatike dhe pasiguria gjeopolitike.

Reklamë InterMedika

Rama e përshkruan momentin aktual si një fazë të ndërmjetme. Ballkani Perëndimor, sipas saj, e ka kaluar fazën e stabilizimit ekonomik, por ende nuk ka hyrë plotësisht në një periudhë konvergjence të qëndrueshme me BE-në të mbështetur te produktiviteti.

“Mbyllja e hendekut institucional Ballkan Perëndimor–Bashkim Europian mbetet ‘thembra e Akilit’ për çdo vend të rajonit”, thekson ajo.

Në këtë kontekst, Rama argumenton se vetëm rritja e ekonomisë nuk mund të konsiderohet më e mjaftueshme. “Përmbajtja e rritjes ka rëndësi. Cilësia e saj ka rëndësi. Gjithëpërfshirja ekonomike ka rëndësi”, shprehet ajo, duke theksuar nevojën që reformat të përkthehen në ndryshime konkrete për bizneset dhe shoqërinë.

Sipas saj, perspektiva ekonomike e Ballkanit Perëndimor vazhdon të përballet me një sërë presionesh strukturore, nga tkurrja dhe plakja e popullsisë te emigrimi, tregjet dhe bizneset relativisht të vogla, hapësira e kufizuar fiskale, tregjet e pazhvilluara të kapitalit, mungesa e fuqisë punëtore dhe mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut. Përballë këtyre sfidave, Rama sheh te digjitalizimi, inovacioni dhe investimet në kapitalin njerëzor disa nga instrumentet kryesore të zhvillimit.

Një rol të rëndësishëm në transformimin e rajonit ajo ia atribuon edhe ndryshimit të qasjes së Bashkimit Europian. Në veçanti, Rama veçon Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili, sipas saj, po i afron vendet rreth një axhende të përbashkët reformash dhe zhvillimi ekonomik.

Ajo vlerëson se lidhja e financimit europian me realizimin e reformave dhe mundësia për akses gradual në elemente të Tregut të Unifikuar përpara anëtarësimit përfaqësojnë një fazë të re të procesit të integrimit, më politike, më kërkuese dhe potencialisht më transformuese.

“Rajoni ka nevojë, mbi të gjitha, të mos humbasë më kohë dhe të fitojë besim”, thotë Rama, duke e konsideruar inkurajues faktin se vitet e fundit është intensifikuar diskutimi se cili vend i Ballkanit Perëndimor mund të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së.

Duke u ndalur te Shqipëria, ajo sjell si shembull transformimin e turizmit, duke theksuar se numri i vizitorëve është katërfishuar krahasuar me një dekadë më parë dhe se veçanërisht pas vitit 2020 është regjistruar një rritje e fortë që ka ndikuar jo vetëm te turizmi, por edhe në sektorët e lidhur me të.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës Rama ia kushton inovacionit dhe teknologjisë. Sipas saj, për ekonomi të vogla dhe me të ardhura të mesme si ato të Ballkanit Perëndimor, prioriteti nuk duhet të jetë domosdoshmërisht shpikja e teknologjive të reja, por aftësia për t’i përthithur, përshtatur dhe përhapur teknologjitë ekzistuese në të gjithë ekonominë.

“Pyetja më transformuese sot për vendet ballkanike nuk është nëse mund të krijojnë teknologji të reja. Është aftësia e tyre për të përthithur, përshtatur dhe përhapur teknologjitë ekzistuese shpejt dhe në shkallë të gjerë”, shprehet ajo.

Sipas Ramës, produktiviteti nuk rritet vetëm nga ekzistenca e disa kompanive të suksesshme, por kur mijëra biznese përmirësojnë prodhimin, menaxhimin, eksportet, trajnimin e punonjësve, përdorimin e të dhënave dhe lidhjen me zinxhirët e furnizimit.

Për këtë arsye, digjitalizimi duhet të kalojë nga lehtësimi i shërbimeve për konsumatorët drejt sektorëve prodhues, bujqësisë, turizmit, energjisë, zinxhirëve të furnizimit dhe shërbimeve për biznesin. Paralelisht, kompanitë kanë nevojë jo vetëm për teknologji të re, por edhe për praktika moderne organizative, qeverisje më të mirë dhe menaxhim profesional.

Në rastin e Shqipërisë, Rama veçon transformimin e shërbimeve publike digjitale. Sipas shifrave të paraqitura prej saj, nga vetëm 14 shërbime online në vitin 2013, vendi ka arritur në 1,275 shërbime elektronike për 3.5 milionë qytetarë dhe biznese. Ajo përmend gjithashtu 66 regjistra elektronikë të ndërlidhur mes institucioneve, si dhe automatizimin e një pjese të madhe të të dhënave që kërkohen në formularët e aplikimit në e-Albania.

Megjithatë, Rama evidenton se sektori privat vazhdon të jetë më i ngadaltë në përqafimin e digjitalizimit dhe teknologjisë. Në këtë drejtim, ajo sjell Serbinë si shembull të zhvillimit të një ekosistemi të fuqishëm inovacioni dhe startup-esh, të mbështetur nga investimet në parqe teknologjike, stimujt për startup-et, lehtësitë fiskale për kompanitë e teknologjisë dhe grantet për inovacion.

Një tjetër sfidë e madhe është kapitali njerëzor. Rama argumenton se Ballkani Perëndimor nuk ka vuajtur nga mungesa e talentit, por nga pamundësia për të ndërtuar një ekosistem ekonomik dhe social që ta mbajë dhe shfrytëzojë atë.

Ajo nënvizon se rajoni ka prodhuar vazhdimisht profesionistë të aftë në inxhinieri, mjekësi, matematikë, sipërmarrje, dizajn dhe shërbime digjitale, ndërsa kushtet e vështira ekonomike kanë nxitur gjithashtu aftësinë për t’u përshtatur, për të zgjidhur probleme dhe për të krijuar me burime të kufizuara.

Në këtë kontekst, Rama propozon një mënyrë tjetër të të menduarit për fenomenin e “brain drain”. Sipas saj, emigrimi i talenteve mbetet një problem real dhe i kushtueshëm, por diaspora mund të shndërrohet në një aset strategjik përmes investimeve, mentorimit, rrjeteve ndërkombëtare dhe transferimit të njohurive.

“Pyetja nuk është më thjesht se si t’i mbajmë të gjithë dhe si të mbajmë çdo talent në vend. Kjo as nuk është realiste, as domosdoshmërisht e dëshirueshme. Pyetja është se si ta kthejmë lëvizshmërinë në qarkullim, dhe qarkullimin në zhvillim”, thotë ajo.

Sipas Ramës, njerëzit nuk largohen vetëm për paga më të larta, por edhe për shkak të mungesës së parashikueshmërisë, meritokracisë së dobët, burokracisë, mjediseve të pamjaftueshme kërkimore dhe perceptimit se përpjekja profesionale nuk shpërblehet me mundësi të barabarta.

Për këtë arsye, ajo e konsideron çështjen e talentit si një problem strukturor. “Institucione më të mira janë politikë talenti. Qytete më të mira janë politikë talenti. Shkolla dhe universitete më të mira janë politikë talenti. Një sektor privat më dinamik është politikë talenti”, thekson Rama.

Në intervistë trajtohet edhe ndikimi i kulturës në zhvillimin ekonomik. Rama pranon se mosbesimi, mendimi afatshkurtër, hierarkitë e forta, frika nga dështimi, informaliteti dhe mbështetja te lidhjet personale mund të jenë pengesa, por kundërshton idenë se këto karakteristika janë të pandryshueshme.

“Kultura nuk është fat i paracaktuar. Kultura evoluon kur evoluojnë stimujt, kur evoluojnë institucionet dhe kur shoqëritë fillojnë të shpërblejnë sjellje të ndryshme”, shprehet ajo.

Në përfundim, Rama argumenton se Ballkani Perëndimor duhet ta shndërrojë afërsinë gjeografike, kulturore dhe ekonomike në një avantazh zhvillimi. Bashkëpunimi rajonal, sipas saj, mund të krijojë një hapësirë ekonomike më të madhe dhe të ndihmojë vendet e vogla të kapërcejnë kufizimet që vijnë nga madhësia e tregjeve të tyre.

“Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të bëhet diçka tjetër për të pasur sukses. Ka nevojë të bëhet më efektiv në përdorimin e asaj që tashmë ka: talentin, afërsinë, energjinë sipërmarrëse dhe aftësinë për t’u përshtatur”, thotë Rama.

Sipas saj, kapitulli i ardhshëm i rajonit do të varet nga aftësia për të ndërtuar institucione që krijojnë besim, biznese që mund të zgjerohen, politika që përhapin teknologjinë dhe një bashkëpunim rajonal që krijon një hapësirë më të madhe ekonomike.

“Nëse mund ta bëjmë këtë, atëherë Ballkani Perëndimor mund të kalojë nga të konsideruarit si periferi, në të kuptuarit si një pjesë e lidhur, e mençur dhe gjithnjë e më e rëndësishme e së ardhmes së Europës”, përfundon Linda Rama.