Qeveria gjermane ka bërë të qartë se do të vazhdojë të përdorë emrin “Liqeni Ontario” dhe nuk do të ndjekë vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për ta quajtur atë “Liqeni Amerika”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane deklaroi se ndryshimi i emrit është një vendim i Shteteve të Bashkuara dhe nuk krijon asnjë detyrim për vendet e tjera që të përdorin të njëjtin emërtim.
“Ky është një vendim amerikan për ta quajtur këtë liqen me një emër tjetër. Për momentin, ky vendim nuk ka pasoja për vendet e tjera”, deklaroi zëdhënësi.
“Për ne, ai mbetet Liqeni Ontario, që është emri i përdorur tradicionalisht”, shtoi ai.
Për të shpjeguar qëndrimin e Berlinit, zëdhënësi përdori si shembull ndryshimin në terminologjinë e futbollit mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës.
“Në SHBA, futbolli quhet ‘soccer’, por kjo nuk do të thotë se në vendet e tjera duhet të quhet gjithashtu ‘soccer’”, tha ai.
I pyetur nëse qëndrimi i Gjermanisë mund të shkaktojë pakënaqësi nga Trump apo të ndikojë në marrëdhëniet me Uashingtonin, zëdhënësi tha se çështja e emërtimit të ujërave nuk duhet të shërbejë si arsye për krijimin e tensioneve politike.
Liqeni Ontario është një nga pesë Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut dhe shtrihet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Kufiri mes dy vendeve kalon përmes katër prej pesë Liqeneve të Mëdha.
Vendimi i Trump për ndryshimin e emrit vjen në një periudhë tensionesh të reja mes Uashingtonit dhe Otavës. Marrëdhëniet janë përkeqësuar ditët e fundit mes përplasjes tregtare dhe tarifore, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney ka refuzuar të tërhiqet nga qëndrimi i tij përballë administratës amerikane.
Kanadaja gjithashtu ka kundërshtuar ndryshimin e emrit, duke këmbëngulur se për të liqeni do të vazhdojë të quhet Ontario.
Kjo nuk është hera e parë që Trump ndërmerr një nismë për ndryshimin e emrit të një hapësire të madhe ujore. Vitin e kaluar, ai vendosi që në përdorimin zyrtar amerikan Gjiri i Meksikës të quhej “Gjiri i Amerikës”.
Qëndrimi i Berlinit tregon se vendimi i Uashingtonit për Liqenin Ontario nuk po gjen zbatim përtej SHBA-së, ndërsa Gjermania këmbëngul se do t’i përmbahet emërtimit tradicional.


