xAI padit përdoruesit që akuzohen se përdorën Grok për të krijuar imazhe seksuale të fëmijëve

28 Aug 2026 17:46
Shpërndaje:

Kompania xAI e Elon Musk ka ndërmarrë një strategji të pazakontë ligjore për t’u mbrojtur nga paditë që lidhen me materiale të abuzimit seksual të fëmijëve, të cilat pretendohet se janë krijuar përmes chatbot-it të saj me inteligjencë artificiale, Grok.

Kompania ka paditur së fundmi dy përdorues të platformës, duke i akuzuar se kanë shkelur kushtet e përdorimit të X duke përdorur Grok për të krijuar imazhe eksplicite të fëmijëve. Të dy personat e paditur nga xAI përballen paralelisht edhe me akuza penale.

Përmes padive, xAI kërkon që përdoruesit të mbajnë përgjegjësi për “të gjitha shpenzimet e arsyeshme” që kompania mund të ketë për t’u mbrojtur nga proceset gjyqësore të ngritura prej viktimave të pretenduara. Këtu përfshihen edhe dëmet që kompania pretendon se mund t’i shkaktohen reputacionit të saj.

Reklamë Ola

Në fund të muajit të kaluar, xAI paditi Russell Bloodworth, një fotograf nga Arkansas, i cili përballet me më shumë se 100 akuza penale për përdorimin e dyshuar të Grok për të transformuar fotografi profesionale të fëmijëve në materiale të abuzimit seksual të të miturve. Bloodworth është deklaruar i pafajshëm.

Sipas xAI, veprimet e tij përbënin një përpjekje të qëllimshme për ta përdorur teknologjinë e kompanisë për qëllime kriminale, duke dëmtuar viktimat dhe duke e ekspozuar vetë kompaninë ndaj rreziqeve ligjore dhe dëmtimit të reputacionit.

Reklamë InterMedika

xAI po përballet ndërkohë me padi nga viktima të pretenduara për imazhet që Bloodworth akuzohet se ka krijuar përmes Grok. Kompania i ka kërkuar gjykatës që ai të mbulojë shpenzimet e saj ligjore në këto procese, me argumentin se ka shkelur kushtet e përdorimit të platformës.

Strategjia konsiderohet e pazakontë në sektorin e teknologjisë. Edhe në rastet kur përdoruesit akuzohen për veprimtari kriminale, kompanitë rrallë përpiqen të zbatojnë kushtet e tyre të shërbimit duke ngritur vetë padi kundër përdoruesve.

“Nuk është diçka që shohim të bëhet nga kompani të tjera”, tha John Coyle, profesor i drejtësisë në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe ekspert për kontratat dhe çështjet gjyqësore të korporatave. Sipas tij, një nga arsyet pse kompanitë zakonisht shmangin një strategji të tillë lidhet me ndikimin që ajo mund të ketë mbi imazhin e markës.

Në përgjithësi, xAI ka zbatuar rregullat e X përmes pezullimit ose mbylljes së llogarive dhe raportimit të rasteve të dyshuara të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve pranë autoriteteve përkatëse. Në dokumentet gjyqësore, kompania deklaron se vetëm gjatë vitit 2026 ka bërë rreth 74 mijë raportime të tilla, të cilat kanë çuar në më shumë se 240 arrestime.

xAI nuk ka shpjeguar publikisht pse ka vendosur të përdorë edhe paditë gjyqësore në raste të caktuara dhe as kriteret mbi të cilat vendos se cilët përdorues do të paditen.

Rreth dy javë përpara padisë ndaj Bloodworth, kompania kishte paditur edhe Terry Wayne Harwood nga Karolina e Jugut, i cili gjithashtu akuzohet se ka përdorur Grok për krijimin e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve. Harwood përballet edhe me akuza penale për shfrytëzim seksual të një të mituri.

Në të njëjtën kohë, vetë xAI po përballet me disa procese gjyqësore për imazhe nudo ose seksualisht eksplicite që pretendohet se janë gjeneruar nga Grok pa pëlqimin e personave të përfshirë, përfshirë raste që lidhen me të mitur.

Një nga paditë kolektive përfshin një paditëse të identifikuar me pseudonimin “South Carolina Roe”, e cila pretendon se fotografitë e saj kur ishte fëmijë janë manipuluar përmes Grok për t’u paraqitur artificialisht si nudo.

Avokatja e saj, Sophia Rios, e cilësoi padinë e xAI ndaj Harwood si “shumë pak dhe shumë vonë”. Sipas saj, numri i raportimeve për materiale të tilla të krijuara përmes Grok ngre pikëpyetje mbi vetë produktin dhe masat parandaluese që kompania ka vendosur.

xAI kundërshton këtë argument dhe deklaron në dokumentet gjyqësore se ka integruar masa teknologjike mbrojtëse për të parandaluar përdorimin e shërbimeve të saj për aktivitete të paligjshme, të dëmshme ose abuzive.

Kompania përballet me të paktën dy padi të tjera kolektive që lidhen me krijimin e imazheve të rreme nudo, si dhe me të paktën katër padi individuale të lidhura me veprimet për të cilat akuzohet Bloodworth. Sipas avokatëve të paditësve, mund të pasojnë edhe raste të tjera.

Në thelb, paditësit pretendojnë se xAI nuk ka zbatuar masa sigurie të krahasueshme me standardet që përdoren nga kompani të tjera të inteligjencës artificiale për të parandaluar krijimin e imazheve seksuale të manipuluara dhe pa pëlqimin e personave.

Avokati Derek Potts, i cili përfaqëson disa prej viktimave të pretenduara, argumentoi se paditë e xAI ndaj përdoruesve janë një përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te individët e akuzuar. Ai shprehu gjithashtu dyshime se kompania do të jetë në gjendje të rikuperojë shuma të konsiderueshme financiare prej tyre.