Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri dhe nga pretendimi për postin e presidentit, duke konfirmuar se partia do të qëndrojë në opozitë.
Vendimi u bë publik pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, ku u diskutua situata politike dhe mundësia e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Abdixhiku sqaroi se kërkesa e mëparshme për postin e presidentit synonte, sipas tij, krijimin e një ekuilibri institucional dhe jo përfitimin politik të LDK-së.
Ai zbuloi gjithashtu detaje nga bisedimet me LVV-në, duke thënë se partisë së tij i ishin ofruar tri ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit.
“Vetëvendosje kërkonte prani dekorative të LDK-së në qeveri, ku LDK-së i janë propozuar vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministri. Ne refuzuam një nënshtrim të tillë”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së pretendoi se pas refuzimit të ofertës, Vetëvendosje nisi një përballje publike ndaj partisë së tij, ndërsa theksoi se koalicionet politike duhet të ndërtohen mbi besimin.
Në përfundim, Abdixhiku bëri të qartë se LDK-ja nuk do të zhvillojë më negociata për poste në ekzekutiv apo për presidencën.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri dhe heqim dorë nga kërkesa për presidentin. LVV nuk do ta ketë LDK-në si dekor. LDK qëndron në opozitë”, deklaroi ai.


