Rama pas deklaratës së Zelenskyt për Kosovën: Ukraina është gabim, por liria e saj mbetet e padiskutueshme

13 Aug 2026 14:30
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, duke kritikuar reagimet që kërkojnë ndryshimin e qëndrimit të Shqipërisë ndaj Kievit.

Në një postim në X, Rama e cilësoi të gabuar qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës, por theksoi se kjo nuk duhet të ndikojë në mbështetjen për popullin ukrainas përballë luftës.

“Miku im i dashur Volodymyr Zelensky ishte në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nxjerrë tashmë kalkulatorin gjeopolitik”, shkroi Rama.

Reklamë Ola

Sipas kryeministrit, disa prej kritikëve shkuan deri aty sa kërkuan që Shqipëria të hiqte dorë nga mbështetja për Ukrainën, ndërsa të tjerë, sipas tij, madje shprehën mbështetje për Rusinë.

Rama argumentoi se mbështetja ndaj një vendi që përballet me agresion nuk duhet të kushtëzohet nga qëndrimet e tij politike ndaj çështjeve të tjera.

Reklamë InterMedika

“Liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi. Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë pranoi hapur se, sipas tij, Ukraina mban një qëndrim të gabuar ndaj Kosovës, por nënvizoi se kjo mund të bashkëjetojë me mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e Ukrainës për liri dhe sovranitet.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shkroi Rama.

Ai shtoi se lufta për lirinë e Ukrainës është njëkohësisht një betejë për Evropën, ndërsa theksoi se Shqipëria është “mjaftueshëm e pjekur” për të mbajtur njëkohësisht qëndrimin në mbështetje të Kosovës dhe atë në mbështetje të Kievit.

Rama e mbylli reagimin me mesazhin: “UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.”