Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet gjithnjë e më të preferuara të turistëve francezë, me një rritje të ndjeshme të rezervimeve gjatë këtij viti.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një artikull të publikuar nga “BFM Business”, sipas të cilit rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë janë rritur me 288,2% brenda një viti.
“Me një rritje prej 288,2% të rezervimeve brenda një viti, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre ka shpërthyer”, shkroi Rama.
Sipas medias franceze, një nga arsyet kryesore të këtij interesi janë çmimet konkurruese. Shqipëria konsiderohet ende një alternativë më ekonomike krahasuar me destinacione të njohura mesdhetare si Greqia, Italia dhe Kroacia.
Në artikull thuhet se një vakt në një restorant ekonomik kushton mesatarisht rreth 8 euro në Shqipëri, kundrejt 12 eurove në Kroaci, 15 eurove në Greqi dhe 17 eurove në Itali. Edhe akomodimi vlerësohet si relativisht i përballueshëm.
Një tjetër faktor është rritja e aksesit drejt Shqipërisë. Shtimi i fluturimeve për në Tiranë, veçanërisht nga kompanitë ajrore me kosto të ulët, si dhe përmirësimi gradual i infrastrukturës kanë lehtësuar ndjeshëm udhëtimin e turistëve.
“BFM Business” veçon gjithashtu peizazhet si një prej pikave më të forta të turizmit shqiptar. Riviera Shqiptare dhe veçanërisht Ksamili kanë fituar një ekspozim të madh në rrjetet sociale falë plazheve dhe ujërave të kristalta.
Megjithatë, media franceze thekson se Shqipëria nuk ofron vetëm turizëm bregdetar. Malet, fshatrat karakteristike dhe trashëgimia kulturore po tërheqin gjithashtu një numër në rritje vizitorësh.
Sipas artikullit, Shqipëria priti mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë gjatë vitit 2025, ndërsa rritja e turizmit po shoqërohet me përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e mjedisit nga efektet e mbipopullimit turistik.


