Lavrov: BE po shantazhon Vuçiçin për Kosovën dhe Rusinë

14 Aug 2026 15:29
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përballet me presione të forta nga Bashkimi Evropian, duke pretenduar se Brukseli po e kushtëzon avancimin e Serbisë drejt anëtarësimit me njohjen e Kosovës dhe përafrimin me politikën ndaj Rusisë.

Në një deklaratë të raportuar nga media serbe Kurir, Lavrov e cilësoi Vuçiçin si një politikan me përvojë, i cili, sipas tij, po u reziston presioneve evropiane.

“Presidenti Vuçiç nuk e ka të lehtë. Ai është një politikan me përvojë dhe është i përkushtuar ndaj integrimit evropian. Por, në këtë fazë, Bashkimi Evropian po tallet me të, thjesht po e shantazhon”, deklaroi Lavrov.

Reklamë Ola

Sipas kryediplomatit rus, Serbia përballet me dy kërkesa kryesore nga BE-ja për përshpejtimin e procesit të integrimit.

“E para është: njihni pavarësinë e Kosovës. Dhe e dyta: mbështetni të gjitha vendimet tona që kanë të bëjnë me Rusinë. Ai po e përballon me guxim këtë presion prej më shumë se një viti”, tha Lavrov.

Reklamë InterMedika

Ministri rus foli edhe për marrëdhëniet ekonomike mes Moskës dhe Beogradit, duke theksuar se Rusia i furnizon Serbisë gaz me çmime të favorshme dhe, sipas tij, nuk kërkon asgjë në këmbim.

Megjithatë, Lavrov theksoi se për Moskën do të ishte e papranueshme që Serbia të përfshihej në furnizimin me armë të Ukrainës. Ai tha se Vuçiç ka marrë një vendim të posaçëm për të ndaluar aktivitete të tilla.

Duke komentuar vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimin e tij me Vuçiçin, Lavrov sugjeroi se pritja e tij mund të ketë qenë një përpjekje e presidentit serb për të zbutur presionin nga Brukseli.

“Ky presion është arrogant dhe imponues. Sillen sikur tashmë kanë Rajhun e Katërt”, deklaroi Lavrov.

Kryediplomati rus komentoi gjithashtu konferencën e përbashkët për shtyp të Vuçiçit dhe Zelenskyt, duke u ndalur te një pyetje e gazetarit gjerman Michael Martens. Lavrov tha se Moska do të dëshironte të shihte një reagim të autoriteteve serbe ndaj mënyrës se si ishte formuluar pyetja lidhur me ndihmën evropiane për Ukrainën dhe vrasjen e ushtarëve rusë.

Sipas Lavrovit, Vuçiç u duk i befasuar nga pyetja, ndërsa ai rikujtoi edhe rolin historik të Serbisë në luftën kundër nazizmit.