Prej pesë ditësh e netësh, zjarrfikësit vijojnë betejën me flakët në Krujë, të lodhur dhe disa prej tyre me probleme shëndetësore, por të vendosur për të qëndruar në terren deri në shuarjen e vatrës së fundit.
Altin Shullazi, komandanti i zjarrfikësve të angazhuar në operacion, tregon se ekipet po punojnë pa ndërprerje që prej shfaqjes së vatrave të zjarrit.
“Pesë ditë e pesë net. Merremi me zjarrin në Krujë, nuk do të ndalojmë derisa të shuhet. Jemi të gjithë në punë”, tha Shullazi për Report TV.
I pyetur se çfarë i motivon të vazhdojnë pavarësisht lodhjes, ai thotë se lidhja me qytetin është arsyeja kryesore.
“Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet”, u shpreh ai.
Situata e zjarrfikësve është rënduar edhe nga problemet shëndetësore. Sipas Shullazit, një pjesë e kolegëve po vazhdojnë punën edhe pse kanë temperaturë të lartë.
“Pjesa më e madhe janë me temperaturë 39-40, janë këtu. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, derisa ta mbyllim edhe vatrën e fundit të zjarrit”, tha komandanti.
Një tjetër zjarrfikës, Eduarti, tregoi dëmtimet në këmbë dhe gishtat e nxirë pasi prej ditësh nuk ka hequr këpucët për shkak të angazhimit të pandërprerë.
“Kam një javë pa gjumë dhe as këpucët nuk kam hequr prej disa ditësh. Puna jonë kështu e ka. Edhe kolegët e tjerë kanë dëmtime në këmbë”, u shpreh ai.
Zjarrfikësit vijojnë të qëndrojnë në terren, ndërsa operacioni për shuarjen e vatrave në Krujë vazhdon.


