Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e kërkesave të reja për transparencën e Inteligjencës Artificiale, të cilat synojnë ta bëjnë më të lehtë dallimin mes përmbajtjeve të krijuara nga njerëzit dhe atyre të gjeneruara nga AI.
Rregullat, të parashikuara në Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale, kërkojnë që ofruesit e modeleve të avancuara gjeneruese të sigurojnë që përmbajtjet e prodhuara nga sistemet e tyre të mund të identifikohen si të krijuara nga AI.
Një nga mekanizmat kryesorë është “watermarking”, ose vendosja e një shenje digjitale që mund të jetë e padukshme për përdoruesin, por e dallueshme nga sistemet teknologjike. Kjo mund të aplikohet te fotografitë, videot, materialet audio dhe tekstet e krijuara nga Inteligjenca Artificiale.
Anthropic njoftoi të hënën se modelet e saj të ardhshme do të mbështesin teknologjinë e watermarking në përputhje me kërkesat evropiane. Sipas kompanisë, modelet Claude të publikuara që prej 2 gushtit përfshijnë shenja të integruara në tekst, të cilat mbeten pjesë e tij edhe kur kopjohet dhe publikohet diku tjetër.
Edhe OpenAI ka ndërmarrë masa për identifikimin e përmbajtjeve të krijuara ose të modifikuara nga AI, duke deklaruar se përdoruesit duhet të kenë më shumë informacion mbi origjinën e materialeve që shohin në internet.
Kompanitë po mbështesin gjithashtu standardin C2PA, i cili mundëson ruajtjen dhe transmetimin e të dhënave mbi origjinën dhe mënyrën e krijimit të përmbajtjes.
Megjithatë, vendosja e shenjës është vetëm një pjesë e procesit. Hapi tjetër është që platformat ku publikohen këto materiale, përfshirë rrjetet sociale, të jenë në gjendje t’i identifikojnë shenjat dhe t’ua bëjnë të dukshme përdoruesve.
Në praktikë, një tekst, fotografi apo video e krijuar me AI mund të publikohet në një platformë sociale dhe sistemi të identifikojë automatikisht watermark-un, duke e shoqëruar postimin me një tregues se materiali është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.
Ekspertët vlerësojnë se kjo mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me përmbajtjen online. Sipas Walter Pasquarelli, studiues në Universitetin e Cambridge, të dhënat tregojnë se angazhimi i përdoruesve mund të bjerë sapo ata mësojnë se një material është krijuar nga AI.
Rregullat e reja tregojnë gjithashtu ndikimin në rritje të Brukselit mbi mënyrën se si kompanitë e mëdha teknologjike operojnë globalisht. Pas rregullave të privatësisë GDPR dhe legjislacionit për platformat online, BE po përpiqet tashmë të vendosë standarde edhe për transparencën e Inteligjencës Artificiale.


