Rama u përgjigjet kritikëve: “Serbia e humbi Kosovën” është fakt

12 Aug 2026 13:08
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas debatit të shkaktuar nga deklarata e tij se “Serbia e humbi Kosovën”, e bërë në kuadër të përplasjes me Beogradin për lumin Ibër.

Në një postim në X, Rama i cilësoi kritikat e ardhura nga Prishtina si reagime të “turbofolkut nacionalist”, duke thënë se qëndrimi i tij ndaj Serbisë ka qenë i qartë dhe preciz.

Kryeministri u shpreh se reagimet ndaj deklaratave të tij i konsideron një lloj “laboratori” për të matur saktësinë e qëndrimeve që mban për çështjet rajonale.

Reklamë Ola

“Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal”, shkroi Rama.

Ai iu referua reagimeve që pasuan deklaratën e një dite më parë për lumin Ibër, kur theksoi se territori dhe burimet natyrore të Kosovës nuk i përkasin Serbisë.

Reklamë InterMedika

Sipas Ramës, kritikët në Prishtinë u përqendruan vetëm te fjalia “Serbia e humbi Kosovën”, pavarësisht se qëndrimi i tij ishte kundër çdo ndërhyrjeje të njëanshme të Beogradit që mund të ndikonte në Kosovë.

“Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt”, shkroi Rama, duke shtuar se ky pohim është po aq i papëlqyeshëm për nacionalistët në Beograd sa edhe për kritikët e tij në Prishtinë.

Kryeministri përmendi gjithashtu reagimin pozitiv të deputetes britanike Alicia Kearns ndaj qëndrimit të tij, duke e cilësuar atë si një tjetër tregues të pozicionit të diplomacisë shqiptare.

Debati nisi pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Tirana ka kundërshtuar çdo veprim të njëanshëm që mund të ndikojë në territorin, furnizimin me ujë dhe sigurinë e Kosovës.